Nica: Dhuna dhe terrenet problemi, Devolli surprizon sërish

Stavri Nica ia doli me sukses në pankinën e Devollit, pasi skuadra u ngjit në Kategorinë e Parë. Gjatë gjithë kampionatit kjo skuadër nuk pësoi asnjë humbje, por u dorëzua vetëm në finalen me Tërbunin. Madje edhe në atë takim u deshën gjuajtjet e penalltive që pukjanët të triumfonin ndaj skuadrës së durrsakut.

Tashmë që sezoni u mbyll, Nica i ka të qarta idetë dhe në intervistën e tij për SportEkspres.com, deklaron se në sezonin e ardhshëm skuadra nuk do të jetë vetëm një debutuese, por do të vijojë të jetë solide dhe me ambicie për të surprizuar ekipet e grupit B në të Parën.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në përvojën e shkurtër e të suksesshme me Devollin, çfarë përfundimesh keni për Kategorinë e Dytë?
-Për aq sa pashë gjatë këtyre muajve në drejtimin e Devollit, Kategoria e Dytë është e luftuar, por shpesh edhe jashtë normave e jashtë logjikës sportive. Në bisedat që kam bërë me disa kolegë në këtë kategori, nuk mund të vazhdohet kështu me dhunë e pa terrene normale.

Cilët janë treguesit që ju mendoni se duhen përmirësuar për të patur një garë me më shumë rivalitet në këtë kategori?
-Unë mendoj se treguesi i parë që duhet përmirësuar në futbollin e Kategorisë së Dytë është privatizimi i skuadrave. Kjo e shpëton këtë futboll, pastaj duhet folur për përmirësimin e të tjerave dukuri që janë pjesë e garës.

Ku i shikoni pikat më të “diskutueshme” të këtij Devolli për një paraqitje surprizë në të Parën?
-Devolli tregoi se ka një ekip dinjitoz, por jo të gjithë janë garanci për sukses në Kategorinë e Parë. Në tre apo katër pika edhe mund të ndërhyet, sepse ngjitja në një kategori më sipër kërkon një nivel më të lartë.

Mendoni se skuadra i ka të nevojshme përforcimet për sezonin në Kategorinë e Parë?
-Devolli ka elementë me të cilët mund të shkohet edhe më tej, sepse kemi futbollistë që janë në kulmin  tyre. Ne do bëjmë merkato, por baza do të jenë ata të e sezonit që sapo u mbyllëm. Gjatë merkatos së verës nuk do nxitojmë, por do afrojmë vetëm futbollistë që bëjnë diferencën.

Për sezonin e ardhshëm, cilat do jenë synimet e Devollit në Kategorinë e Parë?
-Sezonin e  ardhshëm klubi ka synime që të jetë një ekip surprizë, ashtu si edhe në Kategorinë e  Dytë. Madje këtë punë ne do ta nisim që nga ekipet e moshave dhe përmirësimi i infrastrukturës, sepse duhen ndërhyrje në stadium dhe në aneksin stërvitor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *