Reali Madrid është në dyshim prej kohësh për të zgjedhur njërin midis Nejmar dhe Mbape. Të dy sulmuesit e PSG-së pëlqehen shumë dhe sigurimi i kartonit të njërit prej tyre nuk është aspak i thjeshtë, por klubi spanjoll ka vendosur.
Sipas raportimeve të AS, Florentino Perez është takuar tre javë më parë në Madrid me Vagner Ribeiron, agjentin e brazilianit. Kualiteti i Nejmar nuk vihet në dyshim, por nuk bind shumë sjellja e tij.
Palët kanë diskutuar mbi mundësinë e një transferimi, opsion që nuk i bind të gjithë te “Los Blancos”, pasi nuk ka siguri të madhe për karakterin e vështirë të lojtarit. Diçka e tillë ka bërë që Reali të ndryshojë objektiv.
Perez ka zgjedhur Mbape dhe i është rikthyer fiksimit të vjetër. Blerja e tij nga PSG është shumë e vështirë, por Reali do tentojë. Perez ka treguar edhe më parë që është një ekspert i këtyre transferimeve dhe do bëjë maksimumin për të sjellë yllin 20-vjeçar në “Santiago Bernabeu”.