U fol për një kalim të Antonio Kontes në stolin e Realit të Madridit, pas shkarkimi të Lopeteguit, madje mediat italiane dhe spanjolle e bënë një fakt të kryer, por Perez vendosi të zgjidhte Santiago Solarin si trajner të ekipit.
Për mos arritjen e akordit me trajnerin italian ka folur ish-presidenti i Realit gjatë viteve 2006-2009, Roman Kalderon. Ky i fundit njihet për “armiqësinë” e tij me Florentino Perez, por kësaj radhe nuk e ka sulmuar kreun e klubit “merengues”.
Kalderon ka fajësuar Konten për kërkesat e tepruara, një gjë që nuk mund të pranohet nga Perez. Kalderon vazhdon të mendojë që kjo ishte një gjë e mirë, pasi ish-trajneri i Juventusit dhe Çelsit është shumë mbrojtës dhe kjo gjë nuk është në stilin e Realit të Madridit.
“Ka kërkuar një kontratë 3-vjeçare dhe donte të merrte stafin e tij, prej pesë personash, me vete. Konte ka kërkuar të ketë dorë të lirë në merkato dhe largimet e lojtarëve. Por, kjo është diçka e papranueshme për Florentino Perez. Nuk mendoj se Antonio Konte është trajneri i duhur për Realin. Ai i ngjan Murinjos, është trajner difensiv, i cili luan me tre qendërmbrojtës dhe përdor kundërsulmin. Në Bernabeu nuk duan të shohin diçka të tillë. Perez e provoi me Murinjon, por Champions-i nuk erdhi dhe portugezi e la klubin në një gjendje të keqe”, përfundon Roman Kalderon.