Merkatoja e janarit te Milani do të fillojë të mendohet më shpejt nga se pritej. Lukas Paketa është i sigurt, por po mendohet për të paktën tre përforcime të tjera, në çdo repart. Dëmtimet, mbi të gjitha, por dhe ndryshimi i modulit kohët e fundit nga Gatuzo, i cili ka kaluar në 4-4-2, e bën të detyrueshme afrimin e një sulmuesi.
Nisemi nga Paketa, i vetmi lojtar që për momentin mund të quhet i Milanit, pasi marrëveshja me Flamengon dhe lojtarin është mbyllur. Flamengo mbyll kampionatin me 2 dhjetor dhe dëshira e kuqezinjve është që ta kenë menjëherë në dispozicion 21-vjeçarin, por gjithsesi duhet të presim dhjetorin për ta konfirmuar.
Një lojtar që ngjason me Rikardo Kakan, që është dhe idhulli i tij, por me ndryshimin e modulit nga Gatuzo, pritet dhe një ndryshim në pozicionin se ku do të luajë braziliani. Pozicioni natyral i Paketës është si mesfushor qendre, ose trekuartist, por me 4-4-2, mund të luajë dhe në mbështetje të Higuain, duke qenë një alternativë më shumë për sulmin.
Gjithsesi, përveç Lukas Paketës, Leonardo thuhet se po punon dhe për tre afrime të reja, nga një për çdo repart, pra një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues. Dëmtimet e Kaldarës dhe Musakios, përkatësisht 3 muaj i pari dhe dy muaj argjentinasi, e bëjnë të domosdoshme afrimin e një mbrojtësi, pasi vetëm Romanjoli dhe Zapata kanë mbetur.
Rodrigo Caio, është emri kryesor që është përmendur këto ditë. Braziliani, i cili aktivizohet me Sao Paolon, është një njohje e vjetër e Leonardos, pasi ka dashur dhe më përpara ta sjellë në Evropë dhe mund të shihet si një opsion i mundshëm.
Në mesfushë, dëmtimi afatgjatë i Lukas Biljas, i cili do të qëndrojë jasht fushave për katër muaj, si dhe një operim i mundshëm i Bonaventurës, do ta linin mesfushën kuqezi të përgjysmuar. Montolivo, Hose Mauri dhe Bertolaçi janë me derë të hapur dhe mund të largohen që të tre, kështu që mesfusha shihet si reparti, që duhen përforcime me patjetër dhe Leonardo e Maldini duhet ta marrin seriozisht punën e tyre.
Në sulm gjithashtu situata paraqitet shqetësuese. Me modulin e ri me dy sulmues, siç është luajtur ndaj Sampdorias dhe Udinezes, sjell zero alternativa për kuqezinjtë. Dy sulmuesit e vetëm janë Kutrone e Higuain dhe kështu nuk ka asnjë zëvendësues për ta. Pista Ibrahimoviç është e mundur dhe është një përforcim që e presin të gjithë tifozët e Milanit, pasi kurrë nuk e kanë harruar kohën që suedezi luante për ta dhe arritën të fitonin titullin.
Gjithashtu Pato nuk përjashtohet, por klauzola që ka në klubin kinez mbetet një problem madhor. Braziliani, që luajti për herë të parë në Europë me fanellën kuqezi, është shprehur i gatshëm të ulë rrogën e tij prej 9 milion eurosh që përfiton në Kinë, por fjalën e fundit pritet ta thonë drejtuesit e Milanit.