Merkato, dëmtimet dhe sfida me Partizanin, Shehi: Tani jemi të plotësuar!

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes kundër Partizanit, ku ka prekur shumë tema. Numri një i pankinës së “Ujqërve” ka folur për dëmtimet, merkaton dhe ndeshjen kundër Partizanit, që e sheh si një rival direkt për objektivat që ka Skënderbeu. Mes të tjerash, Shehi tha:

NDESHJA KUNDËR PARTIZANIT – “Të flasësh për rëndësinë e kësaj ndeshjeje është e kotë, pasi dihet që ne e vlerësojmë në maksimum çdo sfidë që luajmë. Luajmë kundër një kundërshtari direkt, siç është Partizani. Vijmë nga disa ndeshje ku nuk kemi marrë maksimumin dhe kjo i shton edhe më shumë vështirësinë kësaj sfide.

DËMTIMET – “Sigurisht që lojtarët që mungojnë kanë qenë pjesë e formacionit tonë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kanë qenë lojtarë bazë si Demte, Bregu, Krasniqi dhe shtoj Alitin, që mungon për shkak kartonësh. Gjithsesi, ne duhet të mësohemi me këtë gjë, pasi futbolli i tillë është dhe kam shumë besim te lojtarët që do të aktivizoj nesër”.

MERKATO – “Padiskutim që blerjet e reja nuk mund të vijnë pa firmën time, pa miratimin tim. Që një lojtar të bëhet pjesë e skuadrës, duhet të  bindë trajnerin dhe stafin teknik. Ata që kanë ardhur më kanë bindur, por thjesht duhet pak kohë që të ambientohen në skuadër.

TAIPI – “Taipi ka qenë në formacion në ndeshjen e Kupës përballë Besëlidhjes, ndërsa nesër do të jetë në stol. Kështu që gradualisht do të bëhet pjesë e formacionit.

KONTIGJENTI – “Mendoj se jemi plotësuar, kontingjenti i lojtarëve është aty ku ne donim. Ndoshta në ditët e fundit mund të ketë ndonjë afrim, por për momentin jemi OK. Presim rikthime nga dëmtimet dhe do të jemi edhe më të plotë”.

LOJTARËT E HUAJ – “Kemi probleme me lojtarët e huaj, me pajisjen me pasaportat. Realisht, ata janë shqiptarë dhe shpresoj të pajisen me dokumentacionin e duhur. Kishim boshllëqe në skuadër, por në këtë merkato, besoj se kemi gjetur lojtarët e duhur, për të përforcuar ato reparte ku kishim nevojë”.

MESFUSHA – “Në mesfushë, kemi pas shumë mangësi. Kemi pasur pak lojtarë, duke parë dhe mënyrën sesi Skënderbeu luan. Na u shtua edhe problemi me Demte, i cili pas ndeshjes kundër Luftëtarit nuk ka qenë në kondicionin e duhur.

“Në ndeshjen ndaj Kamzës na u dëmtua Muzaka në momentet e fundit, kështu që në atë repart ishim në emergjencë. Nuk e mendonim dëmtimin e Bregut pasi na erdhi në një moment që nuk e prisnim. Aty ku kishim nevoje aty u përqendruam, që të mbushnim boshllëqet që kishim. Pozicionet e tjera ishim në rregull”.

KRASNIQI – “Pati një kontraktim në ndeshjen ndaj Bylisit dhe në fund e zëvendësuam, pasi nuk donim të përkeqësohej. Ka pasur një periudhë riaftësimi dhe dje është bashkuar me grupin, ku përsëri jo në 100% e tij. Besoj do të jetë në pankinë, por jo nga fillimi”.

“Është momenti që duhet të marrim maksimumin, pasi në ndeshjet e fundit të kampionatit kemi prodhuar, por nuk kemi marrë atë që meritonim. Duke parë që luajmë ndaj një kundërshtari direkt, duke parë renditjen dhe pozicionet ku janë skuadrat mendoj që, është ndeshja e duhur për t’u kthyer te fitorja. Është ndeshje që na shërben shumë për të ardhmen dhe aspektin psikologjik të skuadrës, për vetë pozicionin ku jemi. Nuk do ta quaja ndeshje vendimtare por që na shërben shumë për vazhdimin e sezonit”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *