Milani e sheh veten mjaft në vështirësi kohët e fundit, më së shumti jo për rezultatet apo lojën, por për çështjen e dëmtimeve. Shumë titullarë janë në infermieri dhe gjendja nuk duket e mirë nga kjo anë për ekipin e Gatuzos.
Gjithsesi, mesditën e nesërme kuqezinjtë do të presin Parmën në “San Siro”, në një sfidë që shihet si jo e thjeshtë, pasi emilianët kanë surprizuar jo pak këtë sezon. Në kuadër të ndeshjes trajneri Gatuzo, ka marrë disa lajmë të mira, teksa Frenk Kesi, i cili kishte një dëmtim, do të jetë i gatshëm.
Gjithashtu, në sfidën e luajtur në mesjavë ndaj Dudelanzh, pati probleme për Bakajoko e Kutrone. Të dy futbollistët do të jenë po ashtu të gatshëm, teksa lëndimet e marra duket se janë lënë pas. Gatuzos do t’i duhet të bëjë pa Higuain në këtë sfidë, i cili vijon skualifikimin për kartonin e kuq të marrë në sfidën ndaj Juventusit.