“Mala’s Day” në ditën e shënuar, rrugëtimi i djaloshit që lindi me fanellën e kuqe

Data 4 shkurt është një datë historike për klubin e Partizanit, pasi është përvjetori i klubit. Sot në klubin e kuq u festua 73 vjetori. Ndërkohë ka qenë festë edhe për mesfushorin e talentuar, Esat Mala. Si sot një vit më parë, 20-vjeçari debutoi me fanellën e “Demave”, në atë sfidë të fituar 2-1 përballë Kamzës.

Mala u aktivizua në vend të Telushit në minutën e 46-të dhe që nga ajo ndeshje ka qenë një ndër lojtarët më të aktivizuar te skuadra kryeqytetase. Dëmtimi i vlonjatit hapi rrugën që tifozët e Partizanit dhe ndjekësit e kampionatit shqiptar të njiheshin me atë që më pas do të kthehej në beniaminin e popullit të kuq. Mala sot shihet me sy tjetër, por mbetet sërish ai djali i ndrojtur dhe që në fushë jep gjithçka ka.

ELOZHET – Elozhet për Malën kanë qenë të shumta gjatë këtij viti, me emrin e mesfushorit që ka bërë jehonë deri në Itali. 20-vjeçari është krahasuar me ish-lojtarin e Sampdorias dhe tashmë i Arsenalit, Lukas Torreira, më këtë të fundit që u shpall mesfushori më i mirë në Serie A sezonin e shkuar.

“Një talent në rritje, Esat Mala: Torreira i Kosovës!”, kështu shkruante “TuttoMercatoweb” muaj më parë, ndërkohë që për të riun kishte kërkuar informacion edhe Shtutgarti. Për sajtin italian fjalë të mira thoshte edhe ish-drejtori sportiv, Antonelo Preiti.

Shkrimi i postuar në TuttoMercatoWeb.com

“Kemi shumë, për momentin talenti më i madh është Esat Mala, në muajt e fundit është rritur shumë dhe është i pazëvendësueshëm në mesfushë. Mund të luajë në një mesfushë me tre, ose me 2 para mbrojtjes. Ka cilësi e sasi, i pëlqen të depërtojë pa top. Prej pak kohësh është në xhiron e U-21 të Kosovës”, shprehej Preiti, ndërkohë që më pas Mala pranoi ftesën e Shqipërisë U21. Kombëtarja e madhe është ëndrra.

Në Shkodër kur “mallkojnë” dikë i thonë: “Të hyftë vetja në qejf”. Mala mbetet me këmbë në tokë dhe fjalët e mira veçse e motivojnë. Është në rrugë të mbarë dhe me këto ritme shumë shpejt do të transferohet jashtë vendit.

VRASËSI I TË MËDHAVE – Që nga debutimi i tij, kundër Kamzës sezonin e shkuar, Mala ka qenë një nga futbollistët më të mirë të Partizanit dhe të Superiores. Madje mund ta quajmë edhe “vrasësi i të mëdhave”. Mesfushori i ka shënuar Tiranës në derbi, verilindorëve të Kukësit, si dhe Skënderbeut. Plot nëntë pikë kanë vlejtur këto gola, ndërkohë Mala i ka shënuar edhe Luftëtarit në Gjirokastër.

Goli i Esat Malës që i dha fitoren Partizanit përballë Kukësit

ZBULIMI – Autori i katër golave këtë sezon është një produkt i Shkëndijës së Tiranës dhe pikërisht në një sfidë kundër Partizanit, ka rënë në sy të agjentit të tij, Denis Cani. Ky i fundit ka folur disa kohë më parë për “sportekspres.com”, ku tregoi sesi e kishte zbuluar mesfushorin, marrëdhëniet që ka me të dhe nuk ngurroi të thotë fjalët më të mira për 20-vjeçarin.

“Të them të drejtën e kam parë për herë të parë të Shkëndija me moshat. Ishte një ndeshje kundër Partizanit U19. Esati ra në sy, pasi ishte një nga më të mirët e ndeshjes”, thoshte Cani, i cili ka një raport të veçantë me shtatshkurtrin e mesfushës së Partizanit.

“Cilësi ka shumë, por mbi të tjerat janë qetësia dhe karakteri i tij.  Esati është nga ata që nuk dorëzohet, por ka edhe cilësi tekniko-taktike. Edhe si djalë është i mrekullueshëm. Kur dalim nuk flasim vetëm për sportin, por për gjithçka. Jemi shumë të lidhur dhe kam raportin im me të është si ta kem vëlla të vogël”, tregonte Cani.

Menaxheri Denis Cani dhe mesfushori Esat Mala

VERONIK ISTREFAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online