Është fakt se Mauro Ikardi do të largohet nga Interi, me klubin që i ka treguar derën. Mediet italiane flasin për transferimin te Juventus, si e vetmja skuadër në garë. Megjithatë, “La Gazzetta dello Sport” raporton se Napoli është rikthyer në garë për të blerë sulmuesin.
Presidenti De Laurentis ka bërë gati ofertën për të. Klubi i kaltër ofron 60 milionë euro për 26-vjeçarin. Të kaltrit mendojnë se vlera e Ikardit ka rënë pas gjithë atyre polemikave dhe mosaktivizimit të lojtarit. Sipas burimeve të brendshme të klubit napolitan, Interi duhet të reflektoje dhe ta shesë sulmuesin para se të ulet edhe më shumë vlera.
Përtej interesit të Napolit, dëshira aktuale e Ikardit quhet Juventus. Bashkimi me një legjendë si Ronaldo dhe formimi i një dysheje të frikshme është ajo që e intrigon me tepër. Mediet vendase shkruajnë se mes Juves dhe Uanda Narës kanë nisur negociatat. Në rast të pakënaqësive pas kësaj nuk përjashtohet aspak mundësia e kalimit në Napoli.