Leksioni i javës së parë, të rinjtë “e hanë” Superioren

0

Shpesh e trajtojmë Kategorinë Superiore si ndonjë kampionat elitar, ku duhen yje dhe shpenzime kolosale për të fituar trofe e shkuar në Europë, si mënyrat e vetme për të mbajtur gjallë arkat e vobekta të klubeve tona.

Në fakt, është e vërtetë që duhen lojtarë cilësorë e me petk kampioni, por vetëm në raste kur klubi nuk ja asgjë dhe krejt papritur kërkon të marrë fronin pa pritur gjatë, mjafton të kujtojmë Skënderbeun e fillim dekadës, kur e pushtoi me ‘dhunë’ kreun e Superiores, apo Kukësin, që është kthyer në një klub elite falë shpenzimeve pa fund të Safet Gjicit, edhe pse për fat të keq nuk ka më asnjë lidhje me Kukësin dhe praktikisht është një klub nga Tirana që ndeshjet shtëpiake tashmë do t’i luajë në Elbasan!

Megjithatë, java e parë e edicionit të ri të Superiores tregoi se milionat, premtimet, deklaratat e forta dhe vlerësimet mediatike nuk kanë asnjë vlerë. Kampionati ynë nuk është aq i bukur sa duam ta shesim, nuk është aq fenomenal sa ëndërrojmë dhe drejtuesit e klubeve, por edhe Federatës, nuk janë aspak largpamës e me ide për të ndërtuar një futboll fitimprurës dhe që prodhon.

Shumë klube kërkojnë shtimin e të huajve në fushë, a thua se nuk mjaftojnë 4 të huaj, plus maqedonas pa limit, plus vëllezërit kosovarë pa limit. Praktikisht, mund të shohim në këtë moment 10 ekipe pa asnjë shqiptar që mund të luajë për Kombëtaren, por klubet duan të shtohet numri i të huajve, a thua se kemi sistem zbulimi talentesh nga e gjithë bota.

Ndërkaq, java e parë tregoi se kush beson tek të rinjtë, herët a vonë frytet i merr. Laçi i Pashk Laskës është modeli perfekt si nderohet një ekip: kapiteni është një fëmijë, shumë të rinj luajnë rregullisht dhe të paktën Uzuni është gati për t’u shitur jashtë. Ndonjë i huaj me kosto të ulët pranohet, ndonjë ekspert si Sefgjini apo Shtubina duhen gjithnjë, por baza mbeten të rinjtë shqiptarë, me trajnerë shqiptarë që punojnë pa dalë shumë në media. Përballë Kukësit hendeku ishte i frikshëm, por vetëm në paga, sepse Kukësi paguan 5 lojtarë sa për gjithë Laçin. A kishte ndryshim në nivel loje?

Edhe Kamza meriton respekt. Klub i ri, pa eksperiencë, por që shkëlqeu sezonin e shkuar dhe po ndërton bazuar tek ai sezon. Drejtori Matraxhiu ka marrë aprovimin e klubit për të rinovuar ekipin dhe janë afruar shumë të rinj, së bashku me Devollin, ndërsa boshti është ruajtur, sepse nuk ka logjikë të bëhet skuadra nga e para çdo sezon. Në Tiranë, ndaj një gjiganti të futbollit në emër dhe pse jo edhe në shpenzime këtë verë, Kamza dhuroi spektakël në mënyrën e vet, sepse fitorja është një spektakël më vete në Shqipëri, sidomos jashtë fushe.

Kastrioti është për duartrokitje. Ka besuar te Plori, trajner që në Shkodër nuk e njohin, ndërsa ka afruar lojtarë pak të njohur, disa prej tyre në fillim të karrierës dhe të panevojshëm për klubet e pasur në Superiore. Rezultati? Fitore në Gjirokastër, mese e merituar, si për ironi të fatit ndaj një klubi që ka humbur rrugën dhe tashmë nuk dihet ç’po bën, duke kaluar nga projekti i bukur me të rinj tek eksperimentet e rrezikshme, që u ndynë në Europa League”.

Fjalë të shkëlqyera meriton edhe Teuta. Pa zhurmë pa miliona, pa premtime për tituj e Europë, por me një trajner të ri e shumë ambicioz si Bledi Shkëmbi, klubi durrsak ka afruar shumë të rinj, nga vendi e bota, dhe duket një ekip që thjesht ka nevojë për kohë, sepse premton shumë.

Në fund, veçohet edhe Skënderbeu. Nga halli më shumë, në Korçë kane nisur një projekt të ri bazuar tek të rinjtë dhe është një kënaqësi të shohësh një ekip aq të ri në moshë që fiton ndaj Partizanit duke luajtur mirë e duke pasur në drejtim Orges Shehin. Ja që fitohet edhe pa milionerë…

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.