Sulmuesi spanjoll Alvaro Morata do të rikthehet në qytetin ku nisi rrugëtimi i tij në futboll: Madridi. Sipas burimeve radios së famshme spanjolle “COPE”, futbollisti i Çelsit ka firmosur ditën e premte një kontratë me Atletikon e Madridit.
Bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerje, që do të zyrtarizohet sapo Çelsi të mbyllë me sukses “operacionin” për transferimin e Gonzalo Higuain. Që “ekuacioni” më i bujshëm i merkato së dimrit të mbyllet, duhet vetëm të arrihet marrëveshja midis Milanit dhe Sampdorias për kartonin e polakut Piatek, çka do t’i hapë rrugë kalimit të “El Pipita”-s në Londër dhe Moratës në Madrid.
Transferimi i Moratës te Atletiko, s’do mend që do të lërë një shije të keqe te tifozët e skuadrës së Real Madrid, ekip ku Morata ka luajtur që në fëmijëri. Diego Simeone mund ta “rikthejë në shina” 26-vjeçarin, që në Angli ka kaluar dy vite të vështira, ku përveç probleme në fushën e lojës, ka pasur dhe një gjendje të rënduar psikologjike, diçka që Morata e pranoi në një intervistë të dhënë para pak muajsh.