Filipe Kutinjo la Liverpulin janarit e vitit të shkuar, për t’u bashkuar me Barcelonën, me katalanasit që paguan plot 135 milionë euro për të pasur shërbimet e tij. Kur kanë kaluar diçka më shumë se një vit nga transferimi, 26-vjeçari nuk është se ka shkëlqyer në “Camp Nou”.
Kohët e fundit, braziliani është kritikuar jo pak dhe largimi i tij nga Katalonja duket gjithnjë e më pranë. Nga raportimet e fundit, në garë për mesfushorin janë tre ekipe, të cilat shihen edhe si destinacione të mundshme të Kutinjos.
Bëhet fjalë për Mançester Junajtid, Çelsin edhe PSG-në. Ka qenë vetë agjenti i Kutinjos, i cili ka pranuar kontaktet me të tre klubet, ku Junajtid shihet si më favoriti sipas mediave. Çelsi, sipas vendimit të UEFA-s do ta ketë merkaton të bllokuar në hyrje, por agjenti i brazilianit tha se ka patur kontakte.
Ndërkohë, një kalim në Paris, nuk do të përjashtohej, me brazilianin që mund ta preferonte diçka të tillë, pasi në Francë do të gjente edhe shokun e tij në kombëtare, Nejmar Zhunior. Gjithsesi, duhet të presim muajt e ardhshëm për të mësuar të ardhmen e 26-vjeçarit.