Në Spanjë qarkullonte prej vitesh një legjendë urbane, ku thuhej se Mesi kishte vendosur gjatë një ndeshje, që të bëhej një ndryshim në skemën e sulmit, e gjitha kjo e bërë pa konsultën e trajnerit të atëhershëm Luis Enrike.
Sulmuesi i Barcelonës ka vërtetuar këtë histori në një intervistë për gazetën katalanase “SPORT”. Uruguaiani zbuloi detajet e këtij momenti që ka ndodhur më 5 nëntor të 2014-ës, në transfertën ndaj Ajaksit në Amsterdam.
Suarez kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer nga dënimi katër mujor që mori nga FIFA pas kafshimit të Kielinit në Kupën e Botës. Përgjatë muajve të parë të parë të kampionatit, Luis Enrike në mungesë të Suarezit ia kishe besuar Mesit rolin e sulmuesit të qendrës. Ja si e shpjegon uruguaiani këtë histori.
“Është e vërtetë (qesh). Sistemi që kishim me Luis Enriken, ishte i tillë që Mesi duhet të luante si 9-sh fals, ndërsa unë isha vendosur në krah të sulmit dhe kisha për detyrë të gjeja hapsira midis mbrojtësit të krahut dhe të qendrës. Në një ndeshje kundër Ajaksit ata u vendosën të gjithë në mbrojtje dhe Mesi nuk po gjente shumë hapsira. Në një moment u futa në qendër dhe bëmë dy aksione të mira dhe Mesi më tha: “Do të qëndrosh këtu?”. Pas ndeshjes Luis Enrike na pyeti nëse dëshironim të vazhdonim të luanim në atë mënyrë, të tre ishim dakord”, tha Suarez.