Kastriot “cinik” ndaj Egnatias, Tërbuni e Iliria bëjnë paqe

Kastrioti ka fituar me rezultatin minimal 1-0 kundër Egnatias. Krutanët u treguan cinikë dhe iu falën golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Shehi në pjesën e parë. Shtatlarti nga Elbasani shfrytëzoi një kros të Julian Shehut dhe shënoi me një goditje me kokë.

Ekipi i Bledar Sinellës u paraqit mjaft mirë dhe mund të kishte shënuar në disa raste, por sulmuesit u treguan të pasaktë para “gardianit” të Kastriotit. Goli i shënuar nga Shehi mbeti në fuqi deri në fund të takimit.

MIQËSORJA TJETËR – Tërbuni, pas fitores së arritur me Erzenin, tashmë ka marrë një tjetër rezultat pozitiv me Ilirinë e Kategorisë së Parë. Pukjanët barazuan me rezultatin 1-1 ndaj fushë-krujasve të drejtuar nga Fatmir Sala.

I pari kaloi në avantazh Tërbuni i Kërnajës, teksa ishte Saliaj ai që u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Nga fundi i pjesës së parë Xhabrahimi ndëshkoi ish-skuadrën e tij dhe barazoi shifrat në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll e gjithë ndeshja.

Trajnerët respektivë patën mundësinë të shihnin gjendjen e ekipeve të tyre para nisjes së kampionatit, por edhe lojtarë të veçantë që synojnë të bindin dhe të japin kontributin e tyre në pjesën e dytë të sezonit.

Miqësore – E premte, më 18 janar

Kastrioti-Egnatia 1-0
Shënues:
Shehi 17’

Tërbuni- Iliria 1-1
Shënues:
Saliaj 20’ (pen.) / Xhabrahimi 40’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *