Ka një histori dashurie: Laçi, Shkëndija dhe shansi i parë në Europa Ligë

Pashk Laska në fund të sezonit 2004-2005 mori përsipër të drejtonte Laçin, fillimisht si shef klubi. Së bashku me Edmond Hasanbelliun janë dy presidentët më jetëgjatë në Superiore. Numri një i klubit kurbinas, që në fillimet e tij ka tentuar të gjejë lojtarë të rinj. Sigurisht që është “djegur” shpesh, është normale, por i ka qëndruar idesë për të kërkuar lojtarë të profilit të ulët, nga ata që ëndërrojnë të bëhen dikush.

Te Laçi ai krijon mundësi, motivon dhe më pas ata që ikin përfitojnë kontrata disa herë më të mira se te bardhezinjtë. Ka nga ata që mendojnë se nuk kanë marrë çfarë kane merituar me atë që kanë dhënë në fushë, por a duhet vlerësuar edhe shansi? Jo çdokush ta jep, ndaj edhe shumë lojtarë duhet t’ia heqin kapelën presidentit Laska.

Atë e sheh të ndjekë shpesh ndeshje moshash. I veshur sportiv, me këmishë mund ta shihni në ndonjë rast të veçantë, zbarkon në fusha të ndryshme. Kur i sugjerojnë ndonjë lojtar ka një pyetje standarde: “Çfarë djali është?”. Mbi të gjitha kërkon që në ekipin e tij të ketë djem të mirë. Duke qenë të tillë, duke dëgjuar e duke punuar, të gjithë fitojnë. Laçi merr rezultate, të rinjtë afirmohen si futbollistë.

Spartak Ajazi, duke marrë medaljen e kampionit me fanellën e Shkëndijës

Ndër të fundit që i është bashkuar Laçit është Andi Hadroj. Pukjan, i dalë nga Shkëndija e Tiranës. Atë shkollë ka ndjekur edhe djali i tij, Kleo, i cili tani është krahu i tij i djathtë dhe së bashku tentojnë të “piketojnë” të tjerë të rinj. Të kthehemi te Hadroj. 19-vjeçari pati shansin të luante ndeshjen e parë si profesionist për Laçin dhe e bëri në Europa Ligë kundër Anorthosis Famagusta. Kapërcim i madh, por sigurisht asgjë e arritur në karrierë. Sapo ka futur këmbët në botën e futbollit…

Redon Xhixha, golashënues te Shkëndija

Hadroj po ecën në gjurmët e të tjerë të rinjve, të cilët kanë dalë nga Shkëndija e Tiranës dhe kanë debutuar në Europë me Laçin. Më parë e ka bërë një gjë të tillë Spartak Ajazi. Sulmuesi shtatlartë, autor i 13 gola me Shkëndijën kampione, sfidën e parë si profesionist e ka luajtur në Europa League. Kundërshtar ishte Diferdanzhi, që në Korçë triumfoi 1-0. Sulmuesi debutoi në atë takim me fanellën e Laçit.

Bledar Marashi (majtas) dhe Silvio Cavriç

Kush e ka shënuar golin e parë europian të Laçit? Bledar Marashi. Kurbinasi i shënonte Djepr Mogilev në “Niko Dovana” dhe ndeshja përfundonte 1-1. Sulmuesi gjithashtu ka shkëlqyer te Shkëndija e Tiranës dhe emrin e tij e ka shkruar në historinë e klubit kurbinas. Po nga kjo shkollë ka ardhur edhe Redon Xhixha, që me Anorthosis provoi për herë të parë të luante në Europë, ndërkohë që të njëjtin fat mund ta ketë edhe Rudolf Popaj, një tjetër i ri premtues. Në Qipro u çua të bënte nxehmje, por nuk luajti. Do ketë momentin e tij edhe ai, ndërkohë mes Laçit dhe Shkollës së Mjeshtërisë Sportive zor se do shuhet ndonjëherë ajo “shkëndijë” që i lidh…  VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online