Pipo Inzagi është një nga emrat më të dashur të tifozëve të Milanit. Kuqezinjtë kanë patur luksin të kenë në gjirin e tyre shumë futbollistë të mrekullueshëm, por emocionet që të dhuronte Super Pipo ishin të pakrahasueshme me asnjë tjetër.
Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, ish-bomberi i “Djallit” vlerëson shumë dy sulmuesit e ekipit aktual, Piatek-Kutrone. Ai shpreson që kjo dyshe të arrijë të bëjë gjëra që kanë bërë më parë një dyshe e paharrueshme si ajo Inzagi-Shevçenko.
Inzagi ka një këshillë për Kutronen, ndërsa vlerëson dhe trajnerin Gatuzo. Shoku i qindrave betejave dhe fitoreve po bën një punë të mirë, ndërsa rikthimi i dyshes Leonardo-Maldini do të rikthejë Milanin në vendin ku i takon.
KRAHASIMI – “Shpresoj që Piatek dhe Kutrone mund të realizojnë me Milanin atë që kemi realizuar unë dhe Shevçenko. Jam i sigurt që do të jenë e ardhmja e klubit dhe skuadrës që po ndërton Gatuzo. Nevojitet kohë, por shkëndijat dallohen. Kam një këshillë për Kutronen: qëndro te Milani. Nuk ka asgjë më të mirë se kuqezinjtë.
GATUZO – “Rino ka grintë dhe kompetencë. Besoj se ai mund të realizojë te Milani, atë që bëri Konte me Juventusin. Sinjalet janë të dukshme. Leonardo dhe Maldini i kanë idetë e qarta. Tashmë ekziston gjithçka që nevojitet për rilindjen e Milanit.”