Maurdi Ikardi ka thyer heshtjen duke reaguar për herë të parë në lidhje me krizën që ekziston midis tij dhe klubit të Interit. Sulmuesi argjentinas ka shpërndarë një letër në rrjetet sociale, ku ka shkruar se përherë ka sakrifikuar për Interin dhe se nuk po trajtohet me të njëjtën dashuri e respekt që ai ka treguar për ngjyrat zikaltër.
Mesa duket “lufta” midis klubit dhe lojtarit do të vazhdojë, pasi asnjëra palë nuk po pranon “të hapë rrugë”. Në letrën e tij Ikardi bën apel që të merret një vendim për ta zgjidhur këtë situatë për të mirën e Interit.
LETRA E IKARDIT
“Është në kohët më të vështira ku dashuria e vërtetë tregohet. Në ato momente vendosa që të qëndroj tek Interi me Interin. Kur mendova se me objektivat e mi mund ta forcoja Interin. “
“Pavarësisht të gjithë vështirësve vendosa të qëndroj. Për dashurinë që kam për këto ngjyra kam refuzuar oferta që lojtarë të tjetë do ta kishin shumë të vështirë t’i thoshin jo”.
“Kam luajtur me dhimbje që më kanë bërë të lotoj në fund të ndeshjes dhe për ditë me radhë më pas, por përherë jam përpjekur të harroj çdo dhimbje për objektivin e vetëm për të dhënë gjithçka për këto ngjyra, për dashurinë që kam për ngjyrën zikaltër, pasi për mua ekziston vetëm Interi”.
“U kam mësuar fëmijëve të mi se gjithmonë duhet të shpresojnë. U kam mësuar se është e vështirë të fitosh, por ta bësh këtë me Interin ka një kuptim të veçantë, që vetëm një interist i vërtetë mund ta kuptojë dhe ndjejë. Sytë e fëmijëve të mi nuk gënjejnë”.
“Realizova ëndrrën time, realizova ëndrrën e të gjithë ne interistëve, rikthimin në Champions League duke qenë kapiten i skuadrës. Gjithmonë kam qenë kundër atyre që kanë tentuar të ikin nga skuadra në rastin e parë që iu është dhënë. Kam respektuar tifozët, shokët e skuadrës, klubin dhe të gjithë trajnerët që kanë ardhur e ikur gjatë kohës sime këtu”.
“Kam bashkëpunuar me klubin, brenda dhe jashtë fushës. Kurdoherë që ka ardhur një lojtar i ri, u kam treguar se vetëm me pasion mund të arrijmë objektivat tanë”.
“Çdo sakrificë që kam bërë ka qenë për shkak të dashurisë për këto ngjyra dhe gjatë të gjithë kohës kam treguar respekt. Nuk e di, nëse kësaj radhe ka dashuri dhe respekt ndaj Interit dhe meje nga ana e atyre që marrin vendimet. Nuk e di a ka dëshirë nga dikush që të veprojë dhe t’i rregullojë gjërat vetëm e vetëm për hir të Interit”.
“Shumë gjëra mund të ndodhin në një familje, qofshin të këqija ose të mira. Në emër të dashurisë njeriut i duhet të bëjë shumë gjëra, por respekti s’duhet të mungojë. Këto janë vlerat e mira për të cilat kam luftuar gjithmonë gjatë historisë sime tek Interi”.