Juventusi dhe Reali i Madridit kryen në verë një nga operacionet më të mëdha të merkatos, duke arritur marrëveshjen për transferimin e Kristiano Ronaldos. Një gjë e tillë mund të përsëritet që në merkaton e janarit.
Siç citon “Tuttosport”, drejtuesit e dy klubeve po mendojnë për një shkëmbim lojtarësh. Aleks Sandro në Madrid dhe Marselo në Torino. Të dy brazilianë dhe mbrojtës të majtë. Bardhezinjtë nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për të siguruar shërbimet e Marselos, i cili është gati për të shijuar një eksperiencë të re dhe do e mirëpriste bashkimin me CR7, një nga miqtë e tij më të mirë.
Një gjë e tillë do të detyronte Juventusin të hiqte dorë nga Aleks Sandro. Reali nuk mund të heqë dorë nga Marselo pa siguruar zëvendësuesin e tij dhe… Aleks Sandro është zgjidhja perfekte. Kushtet e shkëmbimit? Për të hequr dorë nga Marselo, Reali kërkon Sandron dhe 15 milionë euro.
Mbrojtësi i Realit vlerësohet 60 milionë euro, ndërsa ai i Juves 45 milionë euro, pavarësisht se është 3 vite më i ri. Palët janë afër dhe po mendojnë detajet e fundit të këtij shkëmbimi që do i kënaqte të gjithë.