Gjysma e formacionit e blerë, zbuloni sa ka shpenzuar Skënderbeu

Skënderbeu është një nga klubet që gjatë këtyre viteve shpesh është “studiuar” si rast më vete. Korçarët kanë arritur të dalin shtatë herë kampion në tetë sezonet e fundit, kanë shitur lojtarë dhe kanë arritur të përfitojnë deri në 1 milion euro.

Por veçse kanë shitur, korçarët edhe kanë bërë lëvizje në hyrje. Ata kanë blerë nga brenda dhe jashtë vendit. Më së shumti në klubet shqiptare dhe janë disa futbollistët që kanë veshur fanellën bardhëkuqe pasi është paguar për kartonin e tyre.

Në Skënderbeun e këtij viti bien në sy pesë lojtarë për të cilët janë paguar në total 270 mijë euro. Portieri Aldo Teqja la Qipron dhe iu bashkua Kukësit verën e shkuar, por nuk qëndroi te verilindorët. Skënderbeu pagoi për të 15 mijë euro dhe e transferoi.

Treshja e sulmit është e gjitha e blerë. Blerim Krasniqi janarin e shkuar u ble nga bardhekuqtë. 15 mijë euro të paguara nga Apolonia. Kishte edhe gjashtë muaj kontratë, por për të interesoheshin disa klube dhe Skënderbeu nuk ngurroi të paguante.

Gripshi gjithashtu u mor te Teuta për shumën e 60 mijë eurove. Për anësorin durrsakët kanë ende një pjesë të kartonit. Dejvi Bregu është ai për të cilin është shpenzuar më tepër. Që vjet në janar u paguan 150 mijë euro te Luftëtari për kartonin e tij.

Veç këtyre lojtarëve, është paguar edhe për kartonin e Benejam Demte. I kthyer në një “mollë sherri”, pasi u stërvit fillimisht me Kukësin, etiopiani firmosi për Skënderbeun. Më parë ai ka qenë pjesë e CBE SA, ndërkohë që burime të “SportEkspres.com” bëjnë me dije se korçarët për kartonin e tij kanë paguar rreth 30 mijë euro.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *