Figo: Mançini më ka turpëruar, egoja e Ibrës më e madhe se… Kulla Eifel!

Luis Figo u aktivizua për katër sezone me Interin, që ishte klubi i fundit në karrierën e portugezit fantastik. Ndeshjen e fundit me Interin e luajti me datë 31 maj të vitit 2009. Luhej Inter-Atalanta, përfundonte me rezultatin 4-3 dhe kjo ishte ndeshja e fundit në karrierë për Figon, por dhe e fundit me ngjyrat zikaltër për Zllatan Ibrahimoviç, i cili largohej në verë drejt Barcelonës.

46-vjeçari e nis prononcimin e tij për “DAZN”, pikërisht nga gjiganti suedez. “Zllatan është një kampion, edhe pse ka një karakter të vështirë. Egoja e tij është më e madhe se Kulla Eifel. Ai është i mirë, një djalë me zemër të mirë, ka cilësi të mëdha dhe është fitues. Pa dyshim që është një mik shumë i mirë.”

Fituesi i Topit të Artë në vitin 2000 komenton dhe për Roberto Mançinin, të cilin e kishte trajner te Interi. Trajneri momental i kombëtares italiane e ka turpëruar disa herë, por portugezi nuk mban mëri dhe i uron më të mirën. “Ai është një nga njerëzit që më ka turpëruar më shumë në karrierën time. Por, i dërgoj urimet më të mira, në këtë moment mban një pozicion të rëndësishëm në futbollin italian dhe shpresoj që kombëtarja të fitojë vendin që i takon.”

Në fund Masimo Morati dhe Havier Zaneti. Respekt dhe dashuri për të dy. “Morati ka qenë një nga personat më të rëndësishëm të botës së futbollit në karrierën time, në aspektin sportiv, por dhe atë personal. Unë e quaj baba dhe ka qenë shumë i rëndësishëm në katër vitet e mia me Interin. Zaneti? Një mik, një kapiten dhe profesionist i madh. Ka qenë e mrekullueshme të luaja me të”, përfundon një nga anësorët më të mirë të krahut të dekadës së kaluar në futbollin botëror.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *