“Telenovela” e transferimit të Marek Hamshik nga Napoli te klubi kinez Dalian Jifang ka marrë më në fund formë zyrtare. Ka qenë vetë drejtori i departamentit juridik të klubit napolitan, Matia Grasani, i cili në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”, konfirmoi se marrëveshja midis Napolit dhe palës kineze është arritur.
Ndërkaq, në minutat e në vazhdim pritet që klubi të dalë me një komunikatë zyrtare ku të konfirmojë këtë lajm. Ka qenë vetë lojtari që ka shprehur dëshirën që të largohet nga ekipi, ku në harkun e 12 viteve u kthye në një legjendë.
Transferimi pritej të kishte ndodhur para disa ditësh, por pala kineze ndryshoi metodën e pagimit të shumës prej 20 milionë eurosh nga një pagesë e vetme në një pagesë të ndarë me këste, diçka që nuk u pranua nga Napoli. Ky ngërç është zgjidhur tashmë dhe Hamshik do të prezantohet te klubi i ri ku ka firmosur një kontratë 3-vjeçare nga e cila do të përfitojë 27 milionë euro përgjatë tri sezoneve.