Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, foli para gazetarëve në përfundim të ndeshjes kundër Moldavisë. Numri 1 i FSHF-së u shpreh se kjo fitore rikthen atmosferën pozitive në ekipin kombëtar, çka sipas tij është arma më e fortë e kuqezinjve.
“Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, por për ne ndoshta kjo fitore ka më shumë rëndësi për faktin se kemi bërë pak rezultate pozitive. Uroj që t’i ketë kthyer fat ekipit dhe të kthejë atmosferën pozitive rreth ekipit kombëtar, që është arma më e fuqishme për të arritur te suksesi”.
“Jam më i kënaqur me këtë loje dhe këtë rezultat. Bëmë lojë më të mirë në Islandë, ne komanduam lojën, ato morën rezultatin. Unë mendoj se sot patëm edhe lojë edhe gabim”.
TRAJNERI – “E vetmja vërejtje që më kanë bërë kur kam zgjedhur Rejën trajner është mosha e madhe e tij, 73 vjeç. Për të tjerat s’kam pse flas, është një trajner shumë i mirë. Ka kontribuar maksimalisht me atë që mund të bënte për pak ditë. Ndryshoi atmosferën tek ekipi dhe ngriti besimin te lojtarët”.
GRUPI – “Nuk mund të themi se jemi i afruar vendit të dytë meqë jemi me 6 pikë dhe kundërshtarët kanë nga 9 pikë. Ky grup ka pasur vetëm 3-pikësha deri tani , besoj se do të ketë dhe 1-pikësha, uroj që mos të jemi ato që do barazojmë. Është një grup i fortë. Çdo njeri që ndjek futboll mendon se Franca është favoriti kryesor, Turqia dhe Islanda pak më pak dhe Shqipëria afër tyre. Gjithsesi ne kemi për detyre të luftojmë deri në fund”.