Rezultatet e fundit negative kanë vënë në rrezik rikthimin e Milanit në Champions Ligë. Kuqezinjtë vazhdojnë të renditën në vendin e katërt, por gara është komplikuar dhe ndjekësit janë afruar.
Xhenaro Gatuzo rrezikon postin e tij. Trajnerit i duhet të arrijë objektivin e madh, përndryshe e ardhmja e tij do të jetë larg Milanelos. Rino ka edhe dy vite kontratë me Milanin dhe shkarkimi i tij do i sillte klubit një faturë prej 10 milionë eurosh.
Siç raporton “Corriere dello Sport”, në rast të një shkarkimi të mundshme të Gatuzos (preferohet shumë nga Roma, me Totin sponsorin e tij të madh), do të jetë Ivan Gazidis ai që do zgjedhë trajnerin e ri.
Shefi ekzekutiv i “Djallit” preferon një emër të njohur nga Premier Liga. Ai është Mauricio Poçetino, trajneri i Totenhemit. Një nga pikat më të forta të argjentinasit është puna e mirë me lojtarët e rinj dhe rritja e tyre.
47-vjeçari përfiton një rrogë prej 7 milionë eurosh në sezon. Ai dëshiron të provojë një eksperiencë të re në fund të sezonit dhe Milani mund të ishte një opsion fantastik për të.