Daniele De Rosi tashmë ka marrë vendimin final. Ish-mesfushori i Romës ka vendosur të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit profesionist edhe për një sezon. Klubi i dytë në karrierën e 35-vjeçarit do të jetë Boka Zhuniors.
Drejtori i Sportiv i “gjigantit” argjentinas është një mik i afërt i De Rosit. Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin e Romës, Nikolas Burdiso. 38-vjeçari e kontaktoi italianin sapo ky i fundit u la i lirë nga Roma, por mesfushori kërkoi kohë të mendohej për të ardhmen, pasi tundimi për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë futbollit profesionist ishte i madh.
Ofertat nga ekipet italiane nuk munguan, por siç duket De Rosit nuk mund t’ia lejonte vetes të luante në Itali për një ekip tjetër. Sipas “Sky Sports”, futbollisti do të firmosë të nesërmen një kontratë 1-vjeçare me klubin nga Buenos Aires.
Në kontratë De Rosi ka të drejtën e largimit të njëanshëm në muajin janar, masë kjo e ndërmarrë në rast se aventura amerikano-latine nuk rezulton në praktikë aq fantastike sa ç’duket në teori.