Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, ku ka diskutuar fitoren e skuadrës së tij ndaj Teutës. I pyetur nga paneli i emisionit në lidhje me mundësinë e licencimit të klubit vlonjat, Daja “dribloi” pyetjen duke drejtuar gishtin nga presidenca.
TEUTA – “E menduam që ta nisnim vrullshëm lojën. Në futboll jo gjithmonë të del ajo që ke menduar, por neve sot na doli. Golat tanë erdhën në momentin e duhur, pasi kundërshtari po na vinte me vështirësi. Mposhtëm një ekip të fortë si Teuta, ku gjëja më e rëndësishme ishte rezultati”.
LICENCIMI PËR EUROPËN – “Ne kemi për detyrë që të fitojmë ndeshjet në fushën e lojës, pjesën tjetër e kanë drejtuesit e klubit. Ne duhet të përqendrohemi te fakti që po i shërbejmë qytetit me këto rezultate pozitive. Dihet që pjesa tjetër e ekipeve, si kundërshtari i sotëm, kanë bërë merkato në janar, ndërsa ne kemi pasur shumë largime. Ne na mbetet të bëjmë tonën në fushën e lojës”.
EKIPI – “Ky grup ka një frymë skuadre mjaft pozitive, gjë që ja bën shumë të lehtë stafit. Kam mbështetjen e lojtarëve me eksperiencë çka mi bën gjërat më të lehta për ta motivuar këtë ekip e për të bërë këto gjëra që po arrijmë tani. Përderisa jemi në vend të tretë jemi të denjë për këtë, ne flasim me pikët. Kemi vetëm 10 lojtarë që përballojnë këtë intensitet ndeshjes. Lojtarët e stolit nuk kanë eksperiencën e duhur”.