Cungu: Nuk do luaj me dy sulmues, Rexhinaldon e respektoj

Kukësi ka kryer sot stërvitjen e parë në Shqipëri, pasi qëndroi për 2 javë në Antalia. Pas seancës stërvitore, trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka folur për mediat, duke prekur tema të ndryshme. Çështja Rexhinaldo ka fokusin kryesor, por dhe objektivat e klubit dhe kompeticioni i Kupës së Shqipërisë janë të rëndësishme për verilindorët.

Objektivat – “Presidenti ynë është ambicioz. Unë besoj se është mëse normale që një president që investon rregullisht në klub, kërkon maksimumin nga ne. Unë e kam pranuar ofertën e Kukësit pikërisht për këtë gjë, pasi më pëlqejnë sfidat dhe rregullsitë. Kemi bërë një gjysmë të parë shumë të mirë dhe shpresoj të bëjmë edhe më mirë në të dytën.

Rexhinaldo – “Unë kam respektuar dhe respektoj punën e Rexhinaldos. Ka ndihmuar shumë skuadrën dhe synon të jetë zgjedhje e parë. Ai është pjesë e kombëtares dhe kërkon të luajë. Gjithsesi, unë do të bëj zgjidhjet më të mira në favor të klubit. Një profesionist duhet të respektojë zgjedhjet e trajnerit.

Sulmi me dy – “Nuk mund të flas para kohe, por për momentin nuk e shoh një sulm me dy. Kemi shumë ndeshje në kampionat dhe në Kupë, prandaj të gjithë do të luajnë.

Teuta si rivale – “Teuta është kundërshtar i denjë për titull dhe nuk e heq aspak nga gara, është pretendente serioze. Paralelisht, ne do të bëjmë më të mirën edhe në Kupë, pavarësisht se fokusi ynë është kampionati.

Kupa – “Nuk është e lehtë që të luftojmë në dy fronte, jo vetëm ne, po çdo ekip. Gjithsesi, do të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme skuadrën, që të luftojmë për të dyja objektivat” – tha Cungu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *