Antonio Konte nuk e ka përjetuar aspak mirë shkarkimin nga posti si trajneri i skuadrës së Çelsit. Tekniku italian ishte i bindur se e meritonte të vazhdonte në krye të pankinës së ekipit londinez, por presidenti Roman Abramoviç vendosi ta zëvendësonte me bashkëkombësin e tij Mauricio Sarri.
Sipas burimeve të medies angleze “Sky Sports”, avokatët e Kontes po bëhen gati për ta çuar cështjen e shkarkimi të tij në gjykatën e arbitrazhit sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës, ku do të kërkojnë që klienti i tyre të shpërblehet me tetë milionë Euro për shkak se është shkarkuar në mënyrë të padrejtë.
Klubi i Çelsit po përdor disa “kurthe” ligjore për t’ia vonuar këtë kompensim ish-trajnerit, duke i bërë të ditur atij se gjatë dy viteve të tij te Çelsi ai ka shkelur disa rregulla të kontratës së tij si: Sjellja e gabuar me lojtarët (përjashtimi i Diego Kostës), vonesa në daljet për shtyp, mosprania në eventet e sponsorve të klubit dhe më qesharakja nga të gjitha, parkimi i gabuar i makinës në ambientet e kompleksit stërvitor.