Trajner i kombëtares U21 të Shqipërisë, Alban Bushi, foli para gazetarëve në daljen për shtyp të organizuar ditën e sotme në ambientet e selisë së FSHF-së. Trajneri i shpresave foli mbi barazimin në Andorra dhe çështje të tjera të kombëtares.
ANDORRA – “U bë një futbollit i pisët, një futboll jo Fair-Play nga lojtarët e Andorrës, gjithsesi kjo ishte strategjia e tyre. Në pjesën e parë pati një nënvlerësim nga ana e lojtarëve, për këtë u indinjova pak, pasi nuk e prisja që të mos jepnin maksimumin, ndërsa në të dytën morën në kontroll lojën, por pati një gabim individual”.
PËRGJEGJËSI – “Do të ndjeja përgjegjësi personale nëse ekipi nuk do të luante në futboll, ata shkuan vetëm dy herë në portë dhe shënuan dy gola, ne ishim gjatë gjithë kohës në portës së tyre dhe shënuam vetëm dy gola. Shpërdoruam shumë, gjithsesi barazimi me Andorrën është i pafalshëm”.
REZULTATE APO EVIDENTIMI I LOJTARËVE – “Unë kam evidentuar shumë lojtarë. Si rasti i Bajramit që luan te Birmingami. Objektivi jonë është që të çojmë lojtarë në ekipin e parë A. Besoj se 3 ose 4 lojtarë që luajnë me shpresat tani do të jenë së shpejti pjesë e ekipit të parë A. Sigurisht dhe rezultatet janë të rëndësishme”.
SHQIPTARËT E MAQEDONISË – “Personalisht unë kam marrë 4 lojtarë nga Maqedonia, ashtu si dhe U19. Do të punojmë akoma me skautët e federatës në Maqedoni, por është një proces që do pak kohë. Unë mendoj që Shqipëria ka lojtarë, por problem është eksperienca e vogël. Kemi probleme në repartin e mbrojtjes, të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët mesfushorë ose sulmues”.
AKUZAT PËR QOKA –“Janë mendime individësh dhe mua nuk më interesojnë. Nuk e imagjinoj dot si mund të bësh një qokë në kombëtaren shqiptare. Ne mundohemi gjithmonë të marrim më të mirët, patjetër që mund të gabojmë kur na duhet të zgjedhim mes dy lojtarëve shumë të mirë”.
OBJEKTIVAT – “Objektivat e mi i vendosin disa njerëz të tjerë, nuk i vendosin as specialistët e as gazetarët. Nëse kemi bërë mirë ose kemi bërë keq, janë ata që e vlerësojnë punën tonë. Pavarësisht barazimin me Andorrën që është i papranueshëm, në ndeshje ndaj Turqisë luajtëm shumë mirë”.
DËMTIMI I MALËS – “Mala ka qenë të dëmtuar në gju. Unë do ndjek atë dhe dy tre lojtarë të tjerë këtë javë nëse do të luajnë, pasi me ekipin kombëtar A ose U21 nuk mund të bësh shaka, kur vjen aty duhet të japësh maksimumin. Nëse një lojtarë është i dëmtuar me ekipin kombëtar gjatë ditës së martë e të mërkurë, ndërsa ditën e premte je 100% e tij, atëherë është shumë e vështirë që të jetë përsëri pjesë e kombëtares. Stafi mjekësor më tha se ka një tërheqje në ligament. Doktori më tha se do ishte e pamundur që të luaj për të paktën një javë. S’dua të përmend emra, por dy ose tre trajnerë marrin lojtarët e tyre marrin lojtarët e tyre duke i thënë mundohuni të luani 30 minuta në Andorra ose fare pasi kemi ndeshje në kampionat. Çdo lojtarë duhet ta dijë se fanella e kombëtares është e shtrenjtë, gjithsesi në grumbullimin e ardhshëm mund të kemi 2 ose 3 mungesa nga këto lojtarë që thashë”.