Një mesfushor qendre duket se do të jetë përforcimi i fundit i skuadrës së Romës. Largimi i Naingolanit drejt Interit, mosha e vjetër e kapitenit De Rosi dhe paraqitjet e dobëta të francezit Maksim Gonalon kanë detyruar drejtuesit e klubit verdhekuq të kërkojnë më ngulm një përforcim për këtë repart. Pak ditë më parë u arrit marrëveshja me Seviljen për kartonin e Monçit, por negociata kanë shkuar përsëri në pikën zero.
Kërkesat e mesfushorit francez për një pagë sezonale prej të paktën 4.5 milionë eurosh në sezon (neto) kanë bërë që drejtori sportiv i Romës, Monçi, të shikojë për alternativa të tjera. Emri më i fundit që po lakohet nga mediet italiane është, Granit Xhaka.
Mesfushori i kombëtares zvicerane sapo ka firmosur një rinovim me “topçinjtë”, megjithatë marrëdhënia e tij me tifozët nuk ka qenë fort e mirë gjatë këtyre dy viteve të fundit, dhe mbetet për t’u parë nëse 25-vjeçari është në planet e trajnerit Unai Emeri. Ndërkohë, ekziston dhe një skenar ku Nzonzi, lojtar për të cilin Arsenali ka shfaqur jo pak interes gjatë viteve të fundit, mund të kalojë te ekipi londinez, ndërsa Xhaka të “sakrifikohet” për t’i liruar vendin francezit.