Berisha deçiziv në fitoren e Lacios, Atalanta shkërmoq Kievon

0

Janë mbyllur tre sfidat e drekës në Serie A. Dita nisi me barazimin spektakolar mes Frozinones dhe Empolit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 3-3.

Trepikësh i artë dhe shumë i rëndësishëm për Lacion e Simone Inzagit. Bardhekaltrit fituan në “Tardini” përballë Parmës me rezultatin 0-2. Çiro Imobile dhe Zhoakin Korrea ishin autorët e dy golave, ndërsa Valon Berisha, i aktivizuar në minutën e 57, fitoi penalltinë që i dhuroi avantazhin miqve, nëntë minuta përpara fundit të ndeshjes. Imobile e ktheu në gol, ndërsa argjentinasi Korrea vulosi fitoren me golin e shënuar në minutat shtesë. Parma ndalet pas ecurisë së mirë, ku në pesë javët e fundit kishte arritur katër fitore. Ky trepikësh e ngjit Lacion përkohësisht në vendin e tretë, në kuotën e 18 pikëve, shtatë më pak se kryesuesit e Juventusit.

 

Atalanta shkatërroi Kievon me rezultatin 1-5, duke u rikthyer te fitorja pas shtatë javësh. Berisha qëndroi në stol, ndërsa heroi ishte Josip Iliçiç, i cili shënoi një tripletë për ekipin e Gasperinit. Debutim i hidhur në pankinën e Kievos për Xhampiero Venturën, ndërsa ndëshkimi i Berbas me karton të kuq në fundin e pjesës së parë ia lehtësoi gjërat Atalantës. Fundi i ndeshjes dhuroi dhe golin e nderit për Kievon. Slloveni Birsa u tregua i saktë nga pika e penalltisë, dukë shënuar golin e dytë personal në kampionat.

Gola dhe spektakël në Bolonja me djemtë e Inzagit që arritën një barazim 2-2 kundër Torinos. Iago Falke kaloi miqtë në avantazh në minutën e 14-të me një gol shumë të bukur. Baseli dyfishoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë. Falke rikuperoi bukur një top në zonë dhe pasoi drejt mesfushorit, i cili nuk fali nga brenda zonës. Djemtë e Filipo Inzagit reaguan, duke shkurtuar rezultatin pas pesë minutash. Sulmuesi Federiko Santander përfitoi nga një rrëmujë në zonë për të mposhtur portierin Sirigu. Vendasit u hodhën të gjithë në sulm për të barazuar ndeshjen dhe goli i shumë dëshiruar erdhi 13 minuta nga fundi. Presingu i lartë i Bolonjës detyroi Torinon të gabojë dhe mbrojtësi Kalabrezi shënoi nga brenda zonës, duke çuar në festë tifozët e tij.

Bolonja – Torino 2-2
(Santander 59’, Kalabrezi 77′ / Falke 14’, Baseli 54’)

Kievo – Atalanta 1-5
(Birsa 83′ (pen) / De Run 25’, Iliçiç 28’, 50’, 52’, Gosens 72′)

Parma – Lacio 0-2
(Imobile 81′ (pen), Korrea 94′)

Frozinone – Empoli 3-3
(Silvestre 8′ (aut), Çiofani 54′ (pen), 63′ / Zajç 32′, Silvestre 48′, Ukan 79′)

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.