Teksa kanë mbetur dhe nëntë ditë kohë nga mbyllja e merkatos në Spanjë, Francë dhe Gjermani, klubet po bëhen gati për të kompletuar kontingjentin për sezonin e gjatë që kanë përpara. Një prej reparteve me pak lëvizje ka qenë ai i mbrojtësve të majtë. Por, kjo gjë pritet të ndryshojë me dy transferime të bujshme.
Bëhet fjalë për Filipe Luisin dhe Huan Bernatin. Për mbrojtësin brazilian interesohet PSG-ja, akordi për pagën e lojtarit është arritur, por mungon mirëkuptimi me klubin e Atletikos. Bernat hyn në lojë, si zëvendësuesi i Luisit tek Atletiko.
Bajerni nuk e konsideron të pashitshëm spanjollin, kontrata e të cilit mbaron në fund të këtij sezoni. Sipas medieve spanjolle Bernat mund të vishet “rojiblanco” për 15 milionë euro, ndërsa Luis mund të kalojë në Francë për të njëjtën shumë.