Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj ka bërë mirë në krye të pankinës gjirokastrite. Ardhja e tij në krye të Luftëtarit ka parë bluzinjtë të marrin disa rezultate pozitive. Luftëtari do të luajë kundër Partizanit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe para kësaj sfide foli trajneri Ahmataj.
NDESHJA NË KUPË – “Ndeshja e kupës është kundër një skuadre shumë të fortë. Që të përballosh kupën, duhen lojtarë dhe kontigjent më të plotë. Kalendari është shumë i ngjeshur dhe ne duhet të bëjmë rotacion, pasi e kemi më të rëndësishëm kampionatin. Në kupë do të japim maksimumin”.
FILOZOFIA E LOJËS – “Jo vetëm kundër Partizanit, por kundër kujtdo skuadre mundohemi të mos pësojmë gol. Kjo moto na ka udhëhequr deri më tani. Në futboll ka gabime, pasi pa gabime, nuk mund të shënohet asnjë gol”.
NDËRPRERJA E KAMPIONATIT – “Mendoj se të gjitha skuadrat i ka ndihmuar ndërprerja e kampionatit. Kalendari ishte shumë i ngjeshur dhe të gjithë kishim lojtarë jo mirë në gjendjen fizike. Tani janë rikuperuar disa dhe të shohim me optimizëm të ardhmen”.