Me Ajaksin e këtij viti kanë shkëlqyer shumë yje. Nikolas Taliafiko është një prej udhëheqësve të këtij ekipi, që zgjoi kujtimet e skuadrës perfekte të Johan Krojf në fillimet e viteve 70. Mbrojtësi është edhe një nga pikat kryesore të Argjentinës. Bardhekaltrit i pret një luftë e ashpër në finalet e Kupës së Amerikës që hap siparin pas 8 ditësh.
Megjithatë, Taliafiko mundohet ta largojë presionin nga vetja dhe shokët e kombëtares. “Do përpiqemi të luajmë sa më mirë në Kupën e Amerikës, por asnjëri nuk po mendon për fitimin e këtij kompeticioni. Thjesht do shkojmë të japim versionin tonë më të mirë. Kjo kombëtare është në një periudhë tranzicioni dhe qëllimi parësor është të formojmë një grup cilësor.”
Më pas ndalet te Mesi dhe presioni i madh mbi supet e “pleshtit”. Tifozët kërkojnë me ngulm një trofe të munguar që nga vitet e arta të Maradonës dhe Mesi shihet si përgjegjësi kryesor i kësaj thatësire. Taliafiko mendon ndryshe. Thotë se e gjithë skuadra duhet të punojë për të mos peshuar i gjithë presioni mbi kapitenin. Shprehet se Leo duhet të jetë më i lirshëm dhe të ketë mundësi të gëzojë çdo moment.
Më pas lë të nënkuptohet se e ardhmja e tij nuk do të vazhdojë në “Johan Cruyff Arena” pas sezonit të ardhshëm. Gjithsesi, për momentin është i lumtur. 26-vjeçari mendon se është pjesë e një prej skuadrave më të mira të kontinentit dhe është shumë i lumtur me Amsterdamin dhe njerëzit që e rrethojnë në klub