Legjenda e Milanit, Filipo Inzagi është ndalur të flasë për mediat italiane. Ish-trajneri i Bolonjës ka folur për luftën e një vendi në Champions mes Milanit të Gatuzos, shokut të tij dhe Lacios së Simone Inzagit, vëllait. Ai tregohet i paanshëm duke thënë se të dy e meritojnë një vend në katër më të mirat. Foli edhe rreth periudhës “shterpë” disavjeçare të Milanit dhe në fund u ndal te sozia e tij në lojë, Piatek dhe i pakënaquri Kutrone.
Lufta për Champions- “Ëndërroj t’i shoh të dy në Champions League. Lacio e meritonte vitin e kaluar, por janë rikthyer në garë edhe këtë vit. Mes Milanit dhe Lacios do të jetë një ndeshje që më gëzon pavarësisht rezultatit”.
Periudha e vështirë në Milano- “Ne jemi mësuar ta shohim Milanin të fitojë Championsin e trofe të tjerë, por ka edhe periudha të vështira. Do të ngrihet përsëri siç ka bërë më parë”.
Piatek dhe Kutrone- “I dija cilësitë e Piatek. I pëlqen të luajë brenda zonës. Di mjaft mirë të pozicionohet. Është një transferim shumë i mirë. Kutrone luan pak. Mendoj se mund të bëjë më mirë. E kam trajnuar tek të rinjtë dhe e njoh mirë. Ai është numri 9-të i ekipit dhe s’duhet të largohet”, përfundoi Inzagi.