Altin Lala mbetet i pandarë nga bota e futbollit. Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, sot agjent lojtarësh, përfaqëson njërin prej talenteve më premtues të kampionatit gjerman.
Bëhet fjalë për Milot Rashicën. Futbollisti nga Vushtrria është kthyer në një ndër lojtarët më të përfolur të Bundesligës. 2019-ta ka qenë një vit fenomenal për 22-vjeçarin, i cili ka shënuar 10 gola në 13 takime për skuadrën e Verder Bremen.
Një ecuri e tillë s’ka nevojë për shumë koment. Është e natyrshme që për lojtarin të ketë interes të lartë, por vetë Altin Lala ka thyer heshtjen duke dhënë një prononcim për medien e njohur gjermane “Kicker”, ku sqaroi se lojtari i tij do t’i mbetet besnik skuadrës nga veriu i Gjermanisë, për të paktën edhe një sezon.
“Verder Bremen është klubi i duhur për zhvillimin e mëtejshëm të Milotit edhe për sezonin që vjen. Stafi i trajnerëve i kanë dhënë atij shumë besim dhe durim. Ai sapo ka kuptuar se çfarë kualiteti zotëron. Mund të presim akoma më shumë nga ai te Verderi”, tha Lala.