Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka ka folur pas ndeshjes kundër Teutës për “Supersport”, ku tha se qëllimi i skuadrës së tij ishte të mos dilte pa pikë. Tekniku preku edhe temën e financave, si dhe skemën që përdori sot. Nuk la pa përmendur as thashethemet që Kamza luan për Partizanin, ku e refuzoi këtë gjë në mënyrë kategorike. Në fjalën e tij, trajneri u shpreh:
NDESHJA – “Qëllimi ishte që ne sot të dilnim me të paktën një pikë. Mendoj se pjesën e interpretimit të lojës e bëmë mirë. Duke pasur parasysh se Teuta ka lojtarë të shpejtë dhe fizik, pjesën e parë bëmë një lojë të mirë dhe e vumë në vështirësi kundërshtarin”.
FINANCAT – “E kam thënë në media që na është bërë një pagesë dhe pritet që shumë shpejt të bëhet një pagesë tjetër. Shpresoj që drejtuesit e klubit të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe t’i sigurojmë pagat lojtarëve që t’i motivojmë akoma më shumë, pasi kemi të bëjmë me futbollistë profesionistë që paguhen për punën e tyre.”
MBROJTJA ME 3 – “Unë preferoj një skemë tjetër, që e kam përdorur gjatë të gjithë sezonit. Por mungesa e Bonanit na detyroi të bënim këtë vendosje.”
KAMZA LUAN PËR PARTIZANIN? – “Absolutisht që jo. Në ndeshjen e javës së kaluar ajo skuadër që luajti dha maksimumin. Ne nuk mund të luajmë për askënd tjetër, pasi jemi në greminë. Nëse luajmë për dikë tjetër atëherë jemi të rënë nga Kategoria”.