Lautaro Martinez u transferua verën e vitit të kaluar për plot 24 milionë euro nga Rasing në drejtim të Interit. “El Toro”, nuk ka pasur impaktin që pritej, por gjithsesi klubi zikaltër duket se ka besim ende te argjentinasi i talentuar. 21-vjeçari ka folur së fundmi për mediat, ku ka sqaruar marrëdhënien e tij me trajnerin Spaleti, si dhe ka diskutuar mbi merkaton, ku u përfol për një largim drejt Betisit.
SPEKULIMET PËR KALIMIN TE BETISI – “Nuk isha në dijeni aspak për diçka të tillë. E mora vesh nga lajmet që Betisi më kërkonte, por askush në klub nuk më tha gjë në lidhje me këto lajme.”
INTERI – “Gjithmonë kam menduar për Interin, pasi jam shumë i lumtur këtu. Jam i dashuruar pas klubit dhe tifozët. Mundohem të jap më të mirën në çdo mundësi që më jepet dhe dua ta ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave”.
MARRËDHËNIA ME SPALETIN – “Çdo gjë mes nesh është në rregull, gjithçka është sqaruar. I shpjegova që babai im ka qenë lojtar dhe jemi një familje shumë e pasionuar. Babai im bëri gabim me atë çfarë shkruajti në twitter, por në fund të fundit ai është njeri. Ai thjesht reagoi për djalin e tij. Unë po stërvitem dhe po pres momentin tim.”
NDRYSHIMI I ITALISË ME ARGJENTINËN – “Sfida ime është që të jap më të mirën në mundësitë që më jepen. Këtu, krahasuar me Argjentinën, ka ndeshje më me shumë kualitet dhe duhet përgatitje shumë. Duhet të stërvitesh shumë. Asgjë nuk i lihet në dorë fatit.”