Eden Hazard është kthyer në një fiksim në kampin e Realit, teksa belgu prej kohësh përflitet se mund të bëhet lojtar i madrilenëve. Momentalisht, mesfushori i avancuar po shijon formën e tij të mirë me Çelsin, teksa mbrëmjen e kaluar shënoi një dopietë, duke i dhënë fitoren ekipit të tij në transfertë ndaj Uotfordit.
Gjithsesi, me merkaton e janarit në prag, Reali po punon që të bëjë një ofertë tunduese për blutë e Londrës, për t’i bindur për të lëshuar lojtarin e tyre më të mirë. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e “Los Blancos” kanë menduar të ofrojnë në pjatë, Mateo Kovaçiç dhe Iskon, për të arritur tek Eden Hazard.
Kovaçiç është në huazim në Londër dhe forma e treguar e tij është mjaft e mirë, ku trajneri Sarri e sheh si një nga më të rëndësishmit kroatin në mesin e fushës. Ndërkohë, Isko duket se e ka humbur shkëlqimin e tij në “Santiago Bernabeu” dhe besimi tek ai ka humbur. Gjithsesi, pritet me interes se çfarë do të ndodhë me “telenovelën” Hazard.