Pozitat e Xhenaro Gatuzos në krye të pankinës së Milanit janë lëkundur ndjeshëm më humbjen e sotme ndaj Fiorentinës. Në gjashtë ndeshjet e fundit, kuqezinjtë kanë fituar vetëm një herë, dhe Gatuzo nuk fshihet duke pranuar krizën.
“Sigurisht që jemi në një moment të vështirë. Statistikat thonë që jemi në krizë. Kemi hasur shumë probleme në fazën sulmuese gjatë tre javëve të fundit. Por, në takimin e sotëm ishim në gjendje emergjence për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve. Mu desh ta ndërtoja mesfushën nga e para”.
MUNGESË GRINTE ? – “Nuk mendoj se ky është problemi. Po vuajmë nga ana teknike. Impenjimi dhe djersa e lojtarëve për fanellën nuk është vënë kurrë në dyshim nga unë”.
HIGUAIN – “Duhet të rikthehet te goli. Gjatë të gjithë karrierës sime si lojtar dhe trajner, nuk kam parrë kurrë një sulmues të gëzuar kur nuk shënon. Duhet t’i krijojmë raste për shënim, ndërsa të njëjtën gjë duhet të bëjë ai për ne”.
KRITIKAT – “Kastijeho dhe Laksalt nuk m’i plotësuan pritshmëritë. Na mungonin lojtarët të cilët kanë kualitetin për të dhënë topin final. Prandaj them se është e gabuar që t’ia vini fajin vetëm Higuainit”, përfundoi Gatuzo.