Torino shpartalloi Sampdorian në transfertë më rezultatin 1-4, duke regjistruar rezultatin e gjashtë pozitiv rresht në kampionat. Tre humbje dhe tre fitore për ekipin e Maxarrit, që ngjitet në vendin e shtatë në kuotën e 17 pikëve. Beloti me anë të një dygolëshi, Falke dhe Izo ishin autorët e golave të ekipit “granata”, ndërsa i përhershmi Fabio Kualjarela shënoi golin e nderit për ekipin xhenovez. Humbja e dytë rresht për Sampdorias pas asj kundër Milanit dhe djemtë e Xhampaolos renditen në vendin e dhjetë më 15 pikë.
Sfida tjetër mes Parmës dhe Frozinones u mbyll ashtu siç nisi, ndërsa ekipi emilian luajti që nga minuta e 61 me një lojtar më pak. Leo Stulak la Parmën me dhjetë vetë pas një ndërhyrje të ashpër në mesfushë dhe arbitri i drejtoi direkt kartonin e kuq lojtarit slloven. Kjo pikë e mban Parmën në mesin e renditjes, ndërsa Frozinone arrin rezultatin e tretë rresht pozitiv pas barazimit me Empolin dhe fitores me Spalin. Megjithatë, lacialët vazhdojnë të notojnë në ujëra të turbullta dhe renditen në vendin e parafundit në kuotën e gjashtë pikëve.
Kievo është zyrtarisht në krizë dhe një gjë e tillë u pa dhe në humbjen në shtëpi përballë Sasuolos. Dy gola në fundin e çdo pjese i dhuruan tre pikë të arta Sasuolos, që ngjitet në vendin e gjashtë me pikë të barabarta me Milanin. Kievo akoma nuk e ka shijuar fitoren për këtë sezon dhe regjistron vetëm dy barazime në 11 javët e para. Veronezët e vegjël renditen në vendin e fundit me -1 pikë, duke llogaritur dënimin me tre pikë në fillim të sezonit.
Kievo – Sasuolo 0-2
(Di Françesko 42’, Xhakerini (aut) 94’)
Parma – Frozinone 0-0
Sampdoria – Torino 1-4
(Kualjarela 65’ / Beloti 12’, 43’, Falke 56’, Izo 78’)