Josip Iliçiç ishte shok skuadre te Fiorentina me Davide Astorin, i cili humbi jetën në mënyrë të papritur në katër marsin e këtij viti. 30-vjeçari slloven zbulon vuajtjet dhe makthet e përjetuara pas vdekjes së Astorit. Iliçiç përjetoi një periudhë të keqe dhe nuk e hiqte nga mendja shokun e tij të ngushtë.
Një infeksion bakterial në qafë e ndali lojtarin për një farë kohe dhe ai mendoi se ky ishte fundi. Rrezik për karrierën, por dhe shumë frikë e pasiguri për jetën e tij.
Iliçiç tani është më mirë, u rikthe te goli kundër Kievos duke shënuar një tripletë, ndërsa gjërat i sheh më ndryshe dhe rëndësi për të ka familja dhe njerëzit e zemrës, të cilët dëshiron t’i ketë gjithmonë pranë vetës.
“Ajo që i ndodhi Davides më ka bërë të kaloj momente të vështira dhe kam vuajtur për shumë ditë. Ishte një tragjedi e tmerrshme, që nuk më lejonte të flija. Kur u bëra keq, pata frikë mos më ndodhte e njëjta gjë. Mendoja: ‘Po sikur të mos zgjohem nesër në mëngjes? Si do ja bëj nëse nuk e shoh më familjen time?’ Ishte një periudhë kur kisha frikë të shtrihesha në krevat dhe të flija gjumë.”
“Futbolli nuk është gjithçka në jetë dhe këtë e kuptova në këtë periudhë. Tani i shoh gjërat më ndryshe, jetoj çdo minutë dhe sekondë me familjen time. Për mua ka vlerë të qëndroj me dy vajzat e mia, gruan dhe mamanë, sepse jeta është e shkurtër dhe duhet t’i gëzosh njerëzit që i do fort. Bëj detyrën time në fushë, kthehem menjëherë në shtëpi dhe i dua gjithmonë afër njerëzit e dashur. Tani ndihem më mirë, jam mirë dhe kjo gjë më mungonte prej kohësh”, përfundon slloveni i Atalantës për “Corriere dello Sport”.