VIDEO | NBA: Warriors fluturojnë me Curry, befasohen Raptors

Golden State Warriors e nisin mbarë pjesën më të bukur të garës në NBA. Tashmë po zhvillohet faza “Play-off” dhe kampionët në fuqi e kanë kaluar me sukses përballjen e parë me Los Angeles Clippers. Takimi përfundoi 121-104, me Warriors që ishin dominues dhe në tre periodat e para realizuan 19 pikë më shumë se kundërshtari. Clippers e kishin të pamundur ta përmbysnin ndeshjen. Stephen Curry ishte ai që shkëlqeu, duke realizuar 38 pikë. Gjithashtu ai dha edhe 8 asiste dhe rikuperoi 15 topa. Sigurisht kishte në krah edhe Kevin Durant, autor i 23 pikëve. Marshimi drejt titullit kampion ka rinisur.

Toronto Raptors është befasuar nga Orlando Magic me rezultatin 101-104. Kanadezët e nisën mirë, pasi perioda e parë u mbyll 30-25. Miqtë reaguan dhe arritën të shënojnë 13 pikë më shumë periodën e dytë dhe e përmbysën takimin. Gjithsesi, Raptors u ringritën edhe një herë dhe para nisjes së periodës së katërt kishin një pikë më shumë se Magic, që në fund arritën të triumfonin. D. J. Augustin spikati me 25 pikë, por ishin edhe 6 basketbollistë të tjerë që shënuan mbi 10 pikë. Kawhi Leonard (25 pikë) dhe Pascal Siacam (24 pikë) nuk i mjaftuan Raptors.

San Antonio Spurs e ka nisur me këmbë të mbarë, duke mundur një kundërshtar si Denver Nuggets me shifrat 96-101. Një ndeshje e barabartë deri diku, por me teksanët që arritën të krijonin gradualisht diferencën që në fund i dha fitoren. Një paraqitje e mirë në grup dhe e thonë shifrat këtë: DeMar DeRozan 18 pikë, Derrick White 16, LaMarcus Aldridge dhe Bryn Forbes nga 15 pikë, kurse Rudy Gay 14.

D’Angelo Russell (26 pikë) dhe Caris LeVert (23 pikë) udhëhoqën Brooklyn Nets në fitoren 102-111 kundër Philadelphia 76ers. Nëntë pikë diferencë, të krijuara që në periodën e parë dhe Nets e nisin mbarë fazën “Play-off”. Jimmy Butler shënoi 36 pikë, ndërkohë që edhe Joel Embiid (22, 4, 15) bëri një paraqitje të mirë. Gjithsesi mbështetja e skuadrës nuk ishte e mjaftueshme për të fituar ndaj Brooklyn Nets.

NBA | FAZA PLAY-OFF
Philadelphia 76ers-Brooklyn Nets 102-111 (0-1)
Toronto Raptors-Orlando Magic 101-104 (0-1)
Golden State Warriors-Los Angeles Clippers 121-104 (1-0)
Denver Nuggets-San Antonio Spurs 96-101 (0-1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *