“Ujq” të pandalshëm: miliona dhe zgjuarsi, si Ulvs shkoi nga kategoria e tretë në Europa League!

0

VERONIK ISTREFAJ

Data 12 shkurt, 2012, ishte një nga ditët më të errëta në historinë e klubit të Ulvërhempton. Pikërisht në këtë datë, “Ujqërit” humbën takimin kundër rivalëve të përjetshëm të Uest Brom me rezultatin e thellë 5-1, duke rënë në zonën e ftohtë të renditjes. Pak javë më vonë, trajner MekKarthi u shkarkua, ndërsa Ulvërhempton, ra nga Kategoria, duke i thënë lamtumirë Premier Ligës dhe duke zbritur në Championship.

Kur mendohej se “Ujqërit” do të ngrinin kokë dhe do të ngjiteshin sërish në Premier Ligë, makthi vazhdoi, pasi ranë sërish nga Kategoria, duke u rrëzuar në League One, liga e tretë angleze. Pas shumë trajnerësh të ndërruar, Ulvs ia arriti që të rikthehej në Championship, me një rekord pikësh (103).

Momenti më kritik i historisë së Ulvërhempton, erdhi në vitin 2016, kur u ndërruar presidenca. Në krye të klubit, erdhi “Fosun International”, një kompani kineze. Kjo kompani, kishte marrëdhënie të shkëlqyera me agjentin e famshëm, Horge Mendesh, dhe pikërisht këtu, nisi një histori e jashtëzakonshme. Mendesh mori kontrollin, solli në “Molineuax Stadium” disa talente të pabesueshëm portugez, me emrin më të madh, Ruben Neves. I dalë nga Akademia e Portos, mesfushori ishte gati të shpërthente dhe pikërisht këtë gjë bëri.

Ruben Neves, idhulli i tifozerise se “Ujqerve”

Përveç Neves, që ishte shtylla e ekipit, Diogo Zhota, Leo Bonatini dhe Benik Afobe ishin disa nga afrimet e para. Presidenca vazhdoi të investojë, duke marrë dhe dy lojtarë të tjerë të talentuar, të cilët i zgjodhi po ashtu Mendesh. Portugezi Helder Kosta dhe Ivan Kavaliero iu bashkuan “Ujqërve” atë sezon.

Për repartin mbrojtës, nuk u investua shumë, pasi portieri Xhon Rudi dhe mbrojtësi Rajan Benet erdhën me parametra zero. Uilli Bolli, gjiganti i mbrojtjes, erdhi si i huazuar nga skuadra e Portos. Trajner? Një “ish” i Portos dhe i Valencias, Nuno Espirito Santo, një emër që po adhurohet nga tifozët e Ulvërhempton. Pas gjithë këtyre lëvizjeve, “Ujqërit” dominuan në Championship, duke dhuruar spektakël dhe duke u shpallur kampionë të Ligës së Dytë angleze, pa e vënë asnjëherë në diskutim vendin e parë (99 pikë, 9 më shumë se vendi i dytë).

Ulvs kur luanin ne Championship

Këtë sezon, Ulverhempton u rikthye në Premier Ligë pas 8 viteve mungesë. Mendohej se do të vuanin në elitën e futbollit anglez dhe do të luftonin për mbijetesë, por Horge Mendesh ndërhyri sërish, duke marrë tre lojtarë të shkëlqyer në skuadër. I pari, mbrojtësi spanjoll, Xhoni Kastro nga Selta Vigo, një lojtar shumë cilësor dhe shumë punëtor në krahun e majtë. Si i huazuar fillimisht, erdhi sulmuesi Raul Himenez nga Benfika: Një vrasës para porte, goleador i lindur! Në janar, Ulvs siguruan kartonin e plotë të tij, duke e bërë blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit.

Ndërsa për mesfushën, në krah të Ruben Neves, u afrua një tjetër portugez: Kampion Europe dhe Kampion në Francë me Monakon, Zhoao Mutinjo, një lojtar që nuk ka shumë nevojë për prezantim. Eksperiencë, luftarak dhe i palodhur, veterani ishte një nga blerjet e sezonit në kampionatin anglez.

Skuadra ishte e kompletuar dhe Nuno Espirito Santo rreshtoi ekipin në fushë për sezonin e ri. Shumë vështirësi rrugës, por Ulvërhepton vazhdoi të mrekullojë ishullin anglez, me paraqitje të shkëlqyera. Në fundin e sezonit? Vendi i shtatë në Premier League, kualifikim në Europa League! Historike, për një ekip që vetëm 5 vite më parë luante në divizionin e tretë anglez. Për më tepër, “Ujqërit” arritën dhe në gjysmëfinalet e Kupës FA, ku eliminuan edhe Mançester Junajtid gjatë rrugëtimit të tyre.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.