Trashi: Dënimi im i bëri mirë Partizanit, çelësi i titullit është ky

Lorenc Trashi është kampion me Partizanin, ndërkohë që në derbin e titullit me Tiranën ishte vendimtar duke ndalur një top në vijën fatale. “E mbyllëm si duhet, me atë pritjen time. E doja, ishte gjëja më e bukur e asaj ndeshjeje. Plot 26 vite pa titullin, një pritje shume e gjatë. Derbi ka rëndësinë e vet. Ishim shkëputur nga Kukësi, por nuk ishte mbyllur asgjë. Ta fitosh titullin nga derbi është diçka speciale”, u shpreh Trashi në emisionin “Pressing” në ABC News.

PËRPLASJA – “Ka qenë në ndeshjen me Skënderbeun. Ka rezultuar mirë në ekip, ishte mësim për të gjithë. Kur gaboj unë, të tjerët nuk duhet ta bëjnë atë gabim. Ai ndëshkim që mora tregoi se klubi është mbi të gjitha dhe Asani, Mala apo Bardhi nuk mund ta bëjnë diçka të tillë. Pavarësisht se u humb, përgjegjësitë i mbajti trajneri. Na e tha që mbi të gjitha është Disiplina”.

RAPORTI ME TRAJNERIN – “Ka qenë vit ndryshe. Normalisht afrimiteti i trajnerit me lojtarët ka qenë ndryshe. Ky ishte çelësi i suksesit. Ky vit është më i suksesshmi, pasi vitet e tjera kemi shkuar deri në fund për shumë arsye”.

TITULLI – “Nuk ka pasur besim nga jashtë. U ndërtua ekip i ri. 3-4 vetë ishim nga vjet. Klubi mendoi për bazën e ekipit, jo vetëm për këtë vit. U mendua të bëhej ekipi i fortë për të ardhmen. U bë ekipi i duhur, krijuam besim dhe fituam titullin”.

GARA – “Dua të flas pak për konkurrencën. Nuk e kuptoj si thuhet kjo që Partizani nuk ka pasur konkurrencë. Ne ishim ekip i ri. Ishin disa që luanin për herë të parë në Superiore. Albani, Ibrahimi dhe unë ishim nga të vjetrit. Kukësi ka ekip të mirë dhe lojtarë që paguhen shumë. Skënderbeu ka lojtarë si Bregu, Vangjeli, Muzaka e Radas. Edhe Teuta po ashtu ka ekip të mirë. Duhet ta themi që jemi gjithë vitin në krye dhe nuk kemi pasur luhatje”.

FUNDI I NDESHJES – “Kur mbaroi ndeshja, u futën gjithë tifozët dhe nuk dilja dot. Ngela aty mes tyre. Njoha njërin prej tyre dhe i thashë: ‘Të lutem më nxirr nga këtu’. Sigurisht dola pa fanellën. Fitorja e titullit në derbi është shumë ndryshe. Do dilnim kampion edhe po të luanim në Elbasan Arena”, u shpreh Trashi gjatë emisionit.

ECURIA E KORÇARËVE – “Skënderbeu ka bërë 6-7 vite të mrekullueshme. Shqiptarët krenohen me kombëtaren, erdhi një moment që krenoheshin me Skënderbeun. Duhet ndjekur strategjia e tyre. Nuk është turp ta ndjekim edhe ne, në mënyrë që dhe Partizani të ecë në Europë”.

KËRKESA E TIFOZËVE PËR DERBIN – “Vitin e parë te Partizani, në derbi na erdhën tifozët dhe na takuan. Na kërkuan vetëm derbin, jo titullin. Erdhi moment që donin titullin, jo derbin. Ua plotësuam dhe i fituam të dyja”.

RAPORTI ME FEDERATËN – “Vitet e mëparshme janë ndryshe. Nuk mendoj se ka pasur luftë me federatën. Është fryrë më shumë dhe jemi cilësuar si një ekip që vetëm protestojmë për arbitrat”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *