Thirrja e Di Françeskos: Lëreni të qetë Zaniolon! Numri 10? Ka kohë…

0

Roma pret Bolonjën nesër në mbrëmje në “Olimpico” dhe djemtë e Di Françeskos nuk kanë alternativa të tjera përveç fitores. Fitorja në Champions Ligë përballë Portos ka rritur atmosferën dhe moralin e ekipit, ndërsa tashmë do të tentohet sigurimi i trepikëshit për të vazhduar ndjekjen e Milanit të vendit të katërt.

Eusebio Di Françesko ka vlerësuar ekipin e Mihajloviçit dhe është ndalur te lojtari i momentit, Nikolo Zaniolo. 19-vjeçari po dhuron paraqitje pozitive dhe po rritet nga ndeshja në ndeshje. Dygolëshi i tij vulosi fitoren e ndeshjes së parë kundër Portos dhe elozhet për të nuk kanë fund.

Një çështje ka shpërthyer sa i përket numrit të mesfushorit, duke ndarë dhe tifozët romanistë në dy kampe. Ka nga ata që do të preferonin t shihnin numrin 10 në shpinën e Zaniolos, ndërsa shumica mendojnë ndryshe. Ky numër nuk duhet prekur, pasi ai i takon Françesko Totit, legjendës dhe idhullit të Romës.

Trajneri ka dhënë mendimin e tij për këtë situatë, duke bërë thirrje për qetësi. Lojtari po rritet dhe ka nevojë për ndihmën e të gjithëve, ndërsa nuk është momenti për t’i dhuruar një numër të “rëndë” si 10-ta e Françesko Totit.

Dua të bëj një thirrje publike për atë që po përjeton Zaniolo: lëreni të qëndrojë i qetë. Ai është vetëm një djalosh 19-vjeçar dhe nuk i duhen ngarkuar shumë përgjegjësi. Këto fjalë i them si trajner. Kam dëgjuar se po diskutohet shumë për t’i dhuruar numrin 10, por numri 22 i qëndron shumë mirë në këtë moment. Duhet të tregohemi të aftë për t’i mundësuar rritjen si lojtar, por të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe ambienti ynë. Nikolo është një lojtar me një perspektivë të madhe dhe i duhet të tregojë akoma shumë gjëra”, përfundon trajneri i Romës.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.