Më të mirët e sezonit: Jupi zgjedh Partizanin, Kukësin dhe dy surpriza

0

Redi Jupi është një tjetër personazh i botës së futbollit që ka pranuar ftesën e SportEkspres.com për të dhënë formacionin më të mirë të Superiores për sezonin e fundit. Me një rreshtim 4-2-3-1 ai përzgjedh ata që sipas tij kanë spikatur më së shumti. Dominojnë Partizani e Kukësi, ndërkohë që ka edhe përjashtime si Selmani e Husein nga Laçi dhe Kastrioti.

PORTA – Shkëlqim Muça dhe Shpëtim Duro përzgjodhën Alban Hoxhën si portierin më të mirë, ndërsa Redi Jupi vlerëson paraqitjet e bëra nga Gentian Selmani i Laçi. Kapiteni i kurbinasve ka qenë vendimtar për bardhezinjtë dhe ish-trajneri i Shpresave thotë: “Selmani ka bërë një sezon shumë të mirë, deçiziv në shumë ndeshje për skuadrën e tij. Pa Selmanin, Laçi do ishte më poshtë në renditje”.

MBROJTJA – Dy prej tyre janë pjesë e Partizanit, Egzon Belica dhe Lorenc Trashi. Për të parin Jupi deklaron: “I dha shumë siguri prapavijës së Partizanit. Nuk është shumë mirë teknikisht, por ishte efikas në një kundra një dhe rrallë bëri gabime”. Vlerësimet për anësorin e majtë janë edhe më të mëdha: Me formën e mirë që tregoi gjatë gjithë sezonit, Trashi mbase duhet të jetë lojtari më i mirë në Kategorinë Superiore në sezonin e fundit”.

Jupi bën një vend në formacionin  më të mirë edhe për Ylli Shametin: “Nuk luajti në fund të sezonit, por nuk shikoj tjetër të ketë qenë më superior se ai. Gjithmonë duke patur parasysh edhe pozitat e ekipit të tij”. Ka vend edhe për një surprizë dhe ai është mbrojtësi i djathtë, Lukman Husein: “Mbrojtësi i Kastriotit tregoi forcë e karakter. Edhe pse luante për mbijetesë, është një nga zbulimet interesante të këtij kampionati”.

MESFUSHA – Jupi vendos dy lojtarë para mbrojtjes dhe njëri prej tyre është Bruno Telushi. “Është absolutisht dhe pa dyshime lojtari më i mirë në rolin e tij. Mbeti futbollisti vendimtar për Partizanin kampion në këtë sezon”, shprehet ish-mesfushori i Dinamos, që ka përzgjedhur edhe Rrocën. “Sidomos në fazën e parë me Luftëtarin tregoi karakter e finesë. Por edhe në gjysmën e dytë me Kukësin, cilësisht ishte më lart nga të tjerët”.

Treshja përpara është e frikshme, me Asanin nga e djathta, Uilliam Kordeiron majtas dhe në qendër Esat Mala. “Ishte më cilësori dhe vendimtari në rolin e tij. Partizani ka shumë pikë të marra pikërisht prej sezonit shumë të mirë që ai ka bërë”, thotë Jupi për Asanin, ndërkohë që për Malën shton: “Mbase nuk është pozicioni i tij ideal, por për t’i bërë vend mes më të mirëve sipas mendimit tim. Teknik, i shpejtë dhe shënues nga çdo pozicion”. Kordiero gjithashtu ka spikatur: “Braziliani tregoi se është një nga futbollistët e huaj më të mirë në Kategorinë Superiore. I shpejtë dhe teknik, por edhe një golashënues”.

SULMUES – Redi Jupi për sulmin ka zgjedhur një vlonjat, Vasil Shkurtajn që e nisi kampionatin me Luftëtarin dhe më pas në janar u transferua te Kukësi. Për të, ai thotë: “Shkurtaj, sidomos në fazën e parë, ka qenë shumë mirë. Nuk ka bërë keq edhe në të dytën, por ka potencial për të dhënë shumë më tepër”.

TRAJNERI – Në fund Jupi ka përzgjedhur edhe trajnerin më të mirë të këtij sezoni dhe ashtu si kolegët e tij, ai mendon se ishte kampionati i Skënder Gegës. “Absolutisht ishte një vlerë e shtuar te Partizani, por edhe për të gjithë Kategorinë Superiore. Trajneri kampion i gjithë sezonit”, u shpreh Jupi në mbyllje.

AGRON KAJA

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.