Magjistari Salah mbërthen finalen, por Roma është ende gjallë

0

Dy surprizat e mëdha të Champions league në turin e shkuar, Liverpuli dhe Roma, premtonin gjysmëfinale të zjarrta, duke parë atë që bënë ndaj Mançester Sitit dhe Barcelonës, përkatësisht.

Në fakt, Liverpuli shkëlqeu në 2 ndeshje ndaj Sitit dhe konfirmoi se është një ndër ekipet më në formë në Europë, me një sulm ëndrrash, 38 gola në Champions këtë sezon.

Në krahun tjetër, Roma mbahej me triumfin e çmendur ndaj Barcelonës, por ashtu si në vajtjen kundër skuadrës “blaugrana”, tregoi se në aspektin mbrojtës nuk është një skuadër serioze.

E nisi mirë Roma, goditi edhe traversën me Kolarov, por në 10 minutat e fundit të pjesës së parë nisi shfaqja personale e Mohamed Salah: 2 gola mahnitës, pa festuar, për të respektuar klubin që përfaqësonte deri vjet.

Salah është një përbindësh këtë sezon dhe në pjesën e dytë dha pasimet për golat e Manesë dhe Firminos në minutat 56 e 61, ndërsa sërish Firmino në minutën e 68-të dërrmoi totalisht Romën.

Mund të përfundonte me turpërim historik, por Liverpuli në 10 minutat e fundit ia futi gjumit dhe Edin Xheko në minutën e 81-të gjeti një gol të vogël, që mori rëndësi të madhe kur 4 minuta më pas u akordua një penallti për prekje me dorë në zonë e Liverpulit. Peroti nuk fali dhe rikthehet situata e Barcelona-Roma. U duk e mbyllur edhe atëherë, por 5-2 është shumë mirë për Romën, duke parë si po shkonin gjërat.

Liverpuli ndoshta do të shkojë në finale, sepse mrekullitë nuk mund të ndodhin çdo javë për Romën, por Klop ka shumë punë për të bërë me mbrojtjen, sepse sulmi është më i miri në botë në këtë moment.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here