Partizani nuk i ndahet Italisë, tenton ish-trajnerin e Torinos

Partizani e ka ndarë mendjen, dëshiron trajner të huaj dhe deri javën e ardhshme pritet ta gjejë. Nuk do të jetë Zdenek Zeman, një ëndërr e paarritshme, por me sa duket edhe Sormani nuk do të kthehet në Shqipëri.

Nga Italia gazetari Alfredo Pedula raporton se emri që pritet të firmosë me Partizanin është Franko Lerda, trajner 51-vjeçar me CV të rëndësishme, si lojtar dhe si trajner.

Kulmin e vet si trajner Lerda e ka pasur në sezonin 2010/11, kur drejtoi Torinon në Serinë B, pa ia dalë mbanë ta ngjiste në A, duke u pasuar nga Gian Piero Ventura.

Ndër klubet e tjerë të njohur Lerda ka drejtuar edhe Peskarën e Leçen, me këtë të fundit e mposhtur në finalen play-off për ngjitje në B nga Frozinone, ndeshje ku u përlesh me lojtarë e tifozë kundërshtarë, duke u dënuar 7 muaj.

Këtë të enjte Lerda pritet në Tiranë, ku do të takohet me drejtuesit e Partizanit, për të diskutuar për detajet e kontratës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *