Grezda shpreson të luajë: Dua të bind Panuçin, kemi vetëm Lihtenshtejnin në mendje

Eros Grezda ka qenë një ndër lojtarët që ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur natyrisht për ndeshjen kundër Lihtenshtejnit, në fundjavë, por nuk është marrë me ndeshjen pasardhëse kundër Maqedonisë.

Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtejnin, sepse nuk është një sfidë e lehtë, sot të gjithë kundërshtarët janë të vështirë, edhe pse në letër e quajmë si një sfidë të fituar duhet t’i marrim pikët në fushë. Të mposhtim Lihtenshtejnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, edhe atje do të shkojmë për fitore. Jemi ekipi favorit dhe duhet të sulmojmë ndaj Lihtenshtejnit, për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofensiv, pasi hymë në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese”.

Një Shqipëri sulmuese mund të sjellë debutimin në formacion për Grezdën: “Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë, kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun. Nuk e di sesa kam arritur t’ia mbush mendjen trajnerit, por unë kam dhënë maksimumin dhe shpresoj të luaj që nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme. Nuk kam biseduar shumë me trajnerin e ri, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe kemi qenë shumë të përqendruar në seancat stërvitore. Secili trajner ka metodat e veta të punës, por si me De Biazin, ashtu edhe me Panuçin, jemi të kënaqur po punojmë fortë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën”.Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne  futbollistët e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë”.

Për pozicionin në fushë: “Duhet të luajmë në çdo pozicion që trajneri dëshiron. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse luaj si mesfushor krahu, si mesfushor pas sulmuesit apo si sulmues, unë jam i gatshëm të luajë aty ku ka nevojë skuadra”.

Çështja Cikalleshi nuk preket: “Nuk mund të bëj një koment për vendimin e trajnerit për Cikalleshin, pasi çdo trajner bën zgjedhjet e tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *