Ekubanin e marrin si shembull, por sa shumë kushton!

Kaleb Ekuban është kryefjala e momentit në Turqi, teksa po shfaq një formë me të vërtetë fantastike. Ish-lojtari i Partizanit, i cili shkëlqeu për një sezon me fanellën e kuqe, duke shënuar plot 17 gola, po shijon momentin e tij të mirë me fanellën e Trabzonsporit.

Ganezi kaloi verën e këtij viti në radhët e klubit turk, në formën e huazimit me të drejtë blerje nga Lids Junajtid, me të cilët nuk arriti të gjente shumë hapësira. 24-vjeçari është kthyer në një lojtar mjaft deçiziv për Trabzonsporin, kështu që drejtuesit e këtyre të fundit po mendojnë për blerjen e tij përfundimtare. Në lidhje me këtë çështje ka folur numri një i klubit, pikërisht presidenti Ahmet Agaoglu.

“Ne po mundohemi të sjellim shpirt te ky klub dhe mendoj që jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë gjë. Mjafton të shohësh Ekubanin. Një djalosh nga Gana, i cili erdhi te Trabzonspori në fillim të sezonit, po jep gjithçka për ekipin në çdo ndeshje, por edhe në çdo stërvitje. Jemi shumë të lumtur që kemi këtë sjellje përreth klubit”.

Gjithsesi, pavarësisht dëshirës për ta pasur të tyrin 24-vjeçarin, klauzola që është vendosur për blerjen definitive thuhet të jetë 1 milionë euro dhe presidenti i klubit turk, duket se nuk është gati për një shumë të tillë dhe ka kërkuar nga Lids që të ketë një lëshim, për sa i përket çmimit.

Fillimisht, ishin raportuar shifra të tjera për afrimin e Ekuban te Trabzonspor, ku thuhej se ishin paguar 200 mijë euro për huazimin e tij, ndërsa 200 mijë euro të tjera do të paguheshin në fund të sezonit. Gjithashtu 225 mijë euro, do të derdheshin në arkat e menaxherit të Ekuban dhe kostoja përfundimtare do të ishte në shifrat e 625 mijë eurove. Gjithsesi, pritet fundi i sezonit, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me ish-sulmuesin e Partizanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *