E drejta televizive, Libohova: Problem mediatik, ju tregoj të vërtetën!

0

Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së u mblodh ditën e djeshme dhe klubet ngritën kartonët për të gjitha ndryshimet në rregullore. Një nga temat më të diskutuara, të paktën mediatikisht, ka qenë ajo e së drejtës televizive. Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, i ftuar në emisionin “Kampionët” në Vizion Plus, ka sqaruar gjithçka.

“Ndryshimi i nenit për të drejtën televizive të superiores është më shumë një rregullim juridik për të pasur një artikulacion më të saktë. Në fund të fundit FSHF përfaqëson 55 anëtaret e vet që ishin prezent dhe në emër të tyre ka negociuar edhe me parë të drejtën televizive”, shprehet fillimisht Libohova.

Më tej ai shton: “Po të shohësh bilancin e FSHF, në një krah ne kemi një të ardhur që marrim nga e drejta televizive dhe në krahun tjetër ia shpërndajmë klubeve në mënyra të ndryshme duke shtuar diçka edhe nga vetja. Më shumë ka qenë diçka mediatike, diskutimi që po monopolizojmë të drejtat televizive sesa një problem real”.

“Materialet e mbledhjes se asamblesë, pasi i miratuam në komitetin ekzekutiv, ia kemi çuar anëtarëve 10 ditë përpara dhe nuk ka pasur asnjë ankese, kështu që ato që janë miratuar janë legjitime dhe janë bërë me ndërgjegje të plotë nga klubet. Menaxhimi i të drejtës televizive do bëhet në emër të klubeve”.

“Edhe më përpara klubet nuk kanë marrë vendim për këtë gjë, gjithmonë e ka negociuar të drejtën televizive FSHF. Ndryshe do të ndodhe kur të formohet liga profesioniste, kur ajo të jetësohet. Do të ketë besoj një periudhë  tranzicioni, sepse është një kontrate e nënshkruar, do rinegociohet, janë terma që do diskutohen. Gjithsesi nuk ndryshon asgjë në thelb”, u shpreh Libohova mes të tjerave.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.